Zyra Civile Ndërkombëtare që mbikqyr pavarësinë e Kosovës dhe përmbushjen e pakos së Ahtisaarit, ka mirëpritur vendimin e OSBE-së për të lehtësuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë.

Në një komunikatë dërguar mediave, zëvëndëspërfaqësuesi civil ndërkombëtar, Christopher Rowan deklaron: “Përgëzoj përpjekjet e bëra nga Qeveria e Kosovës për t’iu ofruar qytetarëve serbë rezidentë në Kosovë mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe”, duke shtuar se shpreh mbështetjen e plotë për OSBE-në në lehtësimin e procesit.

Po ashtu aty thuhet se “këto rregullime janë shenjë e funksionimit normal të Kosovës si një shtet sovran dhe janë në të mirë të komunitetit serb në Kosovë. Ne shpresojmë që Qeveria do të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet e saj me qytetarët serbë të Kosovës”, citohet të ketë thënë Rowan.

Të hënën gjatë pasdites, OSBE pati njoftuar se është arrititur marrëveshje që ky mision të lehtësoje mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të Serbisë edhe në Kosovë.

Ky vendim është përshëndetur edhe nga Qeveria e Kosovës, që ka sqaruar se “gjatë kësaj dite do të hapen qendra të lëvizshme votimi, do të ketë vetëm simbole të OSBE-së, ndërsa numërimi do të bëhet jashtë territorit të shtetit të Kosovës, në mungesë të Ambasadës së Serbisë në Republikën e Kosovës, dhe anasjelltas”.

Po ashtu, edhe vendet e Quintit, si Ambasada e SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur që OSBE të lehtësoje votuesit me të drejtë vote – votimin në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 6 majit.

Siç dihet, deri tani nga zyrtarë të shtetit të Kosovës është kundërshtuar vendimi i Serbisë që të mbajë edhe zgjedhje lokale brenda territorit të Kosovës, ndërsa për ato parlamentare dhe presidenciale ka ekzistuar pajtueshmëria që të lehtësohen nga ndonjë institucion ndërkombëtar, përkatësisht nga OSBE-ja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA