Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe sekretari i përgjithshëm i
NATO-s, Anders Fogh Rasmussen kanë zhvilluar një bisedë telefonike, ku
në qendër ka qenë situata e sigurisë në veri.

Lajmin e ka bërë të ditur qeveria e Kosovës përmes një komunikate për shtyp, në të cilën thuhet se Thaçi ka garantuar shefin e Aleancës për bashkëpunimin mes qeverisë së tij dhe KFOR-it.

Thaçi ka shprehur gjithashtu angazhimin e institucioneve të Kosovës për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, sidomos në veri, si dhe për shmangien e incidenteve ndëretnike në këtë zonë.

“Për të arritur këto objektiva është e domosdoshme që të rritet koordinimi dhe vendosmëria e mekanizmave ndërkombëtarë dhe vendorë të sigurisë”, ka thënë Thaçi gjatë bisedës.

Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka nënvizuar vijimin e mbështetjes së Aleancës për ruajtjen e një klime të qetë në Kosovë dhe vendosjen e rendit dhe ligjit, sidomos në veri.

Biseda mes dy zyrtarëve është zhvilluar në prag të zgjedhjeve serbe të 6 majit, me ato presidenciale e legjislative që do të shtrihen edhe në Kosovë, nën kujdesin e OSBE-së.

Ndërkohë, duket se Beogradi zyrtar është tërhequr nga plani për mbajtjen edhe të zgjedhjeve lokale në veri, pas apeleve të ndryshme të faktorit ndërkombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA