Lazarat, fshati më i përfolur në Shqipëri

01/05/2012 19:20

Lazarati i përligj të gjitha legjendat urbane që qarkullojnë për të! Por sot nuk do të flasim për bimën narkotike që e ka bërë të përflitet dhe në Amsterdamin e hashashit të legalizuar, mbi të gjitha Lazarati është thjesht një fshat.

Hyrja nuk është e lehtë, pa një njohje paraprake të ndonjë banori të zonës mundimi do të ishte i kotë. Sigurisht që askush nuk do t’ju qëllojë pa paralajmërim, por do t’ju pyesin imtësisht, aq më tepër nëse keni ndërmend të bëni ndonjë fotografi.

Të gjithë jashtë kamerave nxitojnë të këmbëngulin që nuk ka hashash. Kontakti ynë është kryetari i komunës, Dashamir Aliko! Për të gjithçka është normale.

Askush në fshat nuk do të flasë! Madje po të mos përmendnim emrin e kryetarit, me kënaqësi na tregojnë daljen e fshatit, ama në pamje të parë Lazarati është një vend i bukur dhe njerëzit nuk mund të akuzohen të gjithë si kultivues hashashi, por këto etiketime e kanë përndjekur edhe kryetarin e komunës.  
 
Ajo që vëmë re është një garë dashamirëse mes fshatarëve për vilën më simpatike. Jo më shumë se tre kate, por duket dora e arkitektëve dhe jo thjesht nevoja për të pasur një çati mbi kokë. Infrastruktura është jashtëzakonisht e mirë në këtë fshat të Gjirokastrës dhe makina juaj nuk do të ketë probleme.

Meqë ra fjala tek makina! Sigurisht në kryqëzimet e Bllokut ka makina të bukura e djem të rinj që parakalojnë krenarë, por automjetet e Lazaratit janë shumë hapa para! Në një komunitet me 6 apo 7 mijë banorë, shifra e luksit është e madhe. Gjatë filmimeve tona ishte e pamundur që fuoristradat luksoze apo makinat sportive të mos na dilnin para, të shoqëruara me shikimet vëngër të drejtuesve të tyre.

Shtëpi të bukura, makina të bukura dhe një fshat përjetësisht rebel. Në Lazarat mund të bëhet dhe turizëm fetar me një ngarkesë të madhe besimi dhe adrenaline.

Në Lazarat mund të drekohet mirë, mund të shëtitet në natyrë e sigurisht mund të keni më pas një histori për të treguar se pse keni hyrë e mbi të gjitha keni dalë nga Lazarati.

Ja si shprehet një banor i fshatit: “Këtu mund të vijë kushdo, ja ju gazetarëve nuk ju gjeti gjë, apo jo?”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA