Babai i Teorisë së Relativitetit dhe fitues i Cmimit Nobel në Fizikë në vitin 1921, Albert Einstein ishte një bashkëshort autoritar, jo tërheqës dhe i prirur drejt tradhëtisë bashkëshortore.
Kështu shkruan shkrimtari dhe studiuesi Walter Isaacson në librin e tij “Albert Einstein: His Life and Universe” (Albret Ajnshtajn: Jeta e tij dhe Universi).
Einstein u njoh me Mileva Maric në vitin 1898, kur të dy vazhdonin studimet në Politeknikun Federal të Zvicrës (Mileva ishte e vetmja femër në klasë), dhe nga bangat e shkollës lindi historia e tyre e dashurisë.
Në vitin 1902 cifti u bë me vajzë, Lieserl që fatkeqësisht vdiq një vit më vonë, me shumë gjasa nga skarlatina. Pas lindjes Mileva braktisi të gjitha studimet dhe ambiciet e saj shkencore, duke iu përkushtuar jetës familjare e duke e lënë shkencën në dorën e bashkëshortit, Albert.
Në vitin 1903 ata vendosën të ligjërojnë lidhjen e tyre në martesë duke lidhur bashkimin civil ligjor. Në vitet që pasuan lindën dy djemtë, Hans Albert dhe Eduard.
Rreth vitit 1914 cifti hyn në krizë dhe në këtë pikë, sipas shkrimtarit Walter Isaacson, babai i fizikës moderne “vendos një sërë rregullash të cilat bashkëshortja e tij duhej t’i respektonte rigorizisht”. Por arsyeja që shtyu edhe për ca kohë ndarjen mes Albert dhe Mileva-s ishin fëmijët.
Isaacson pretendon që libri është shkruajtur në bazë të korespondencave letrare që cifti Einsten ka patur në atë kohë. Nga këto korespondenca shkrimtari arrin në përfundimin se kanë qenë një sërë rregullash të vendosura nga Albert ato që “dënuan me burgim” bashkëshorten e tij.
Me një pragmatizëm, ashtu si në punën shkencore të tij, Albert vendos pikër për pikë se cfarë duhej dhe nuk duhej të bënte Mileva. Bashkëshortja e tij duhej t’i garantonte rroba të pastra e të hekurosura, përgatitjen e 3 vafteve ushqim, duhej të pastronte krevatin e gjumit, zyrën dhe tavolinën e punës, por kurrë nuk duhej të “ngatërrohej me shënimet mbi tavolinë”.
Përvec rregullave praktike, sipas Isaacson, Albert vendosi rregulla edhe për jetën sociale të ciftit: Zonja Einstein duhej të hiqte dorë nga të gjitha llojet e afrimitetit ndaj bashkëshortit, përvecse në rastet kur kjo kërkohej nga ai, për arsye pune; nuk mund të ulej pranë tij apo të shëtiste në publik me të…dhe më e rëndësishmja, mes bashkëshortëve nuk do të kishte kurrëfarë marrëdhënie intime e për këtë Mileva nuk duhej që të kritikonte bashkëshortin e saj.
Isaacson identifikon edhe njëfarë “kodi të bindjes”, sipas të cilit, gruaja duhej të “mbyllte gojën”, braktiste studion apo dhomën e gjumit kur kjo i kërkohej nga bashkëshorti. Dhe e fundit, gruaja nuk duhej të përpiqej të zhvlerësonte bashkëshortin e saj në sy të fëmijëve.
Ndoshta këto rregulla të ashpra të vendosura nga Albert (nëse pretendimi i Isaacson është i vërtetë), ndihmuan në shkatërrimin e familjes Einstein. Pak muaj më vonë, Mileva bashkë me dy djemtë, braktis shkencëtarin në Berlin. Pesë vjet më vonë, divorci i tyre u zyrtarizua ligjërisht.
Ndarja nuk ishte aq tragjike për Einsten, i cili më pas u përfshi në një sërë lidhjesh e marrëdhëniesh të shkurtëra, madje edhe me kushërirën e tij Elsa që më vonë do të bëhej gruaja e dytë e tij. Për të kuptuar më mirë jetën personale të Albert, sipas Isaacson, mjafton të lexosh një letër që në rini ai i dërgon të ëmës: “Gëzimi që të jep shkenca, është një strehëz për të shpëtuar nga emocionet e dhimbshme personale”.
Top Channel