Një i dënuar me burgim të përjetshëm në SHBA për përdhunim dhe vrasje u lirua pas 16 vitesh në burg, pasi provat gjenetike vërtetuan në mënyrë të pagabueshme se ai ishte i pafajshëm.
Robert “Rider” Dewey u largua i entuziasmuar të martën nga Gjykata e Lartë e Kolorados, e njëjta që e shpalli fajtor në vitin 1994 dhe e dënoi me qëndrimin në burg deri në fund të jetës së tij.
”Dewey kaloi 6 219 ditë në burg për një krim të cilin nuk e kreu. Kjo është një këmbanë alarmi që tregon se sistemi nuk është perfekt. Prokurorët e çështjes ishin profesionistë, Dewey u përfaqësua atëherë nga avokatë të mirë dhe një juri e paanshme dëgjoi çështjen, por përsëri sistemi në këtë rast nuk funksionoi”, deklaroi gjykatësi, ndërsa shpalli lirimin e menjëhershëm nga burgu për fatkeqin.
Dewey u dënua me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht, për përdhunimin e vrasjen e një 19-vjeçareje në qershor 1994, por rishqyrtimi i çështjes tregoi se gjaku i agresorit dhe gjithashtu materiali gjenetik i gjetur në vaginën e viktimës, i përkisnin një personi tjetër, të dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1995, për përdhunimin dhe vrasjen e një gruaje 39-vjeçare në vitin 1989.
”Dua të marr një herë frymë thellë, të puth vajzën time dhe të blej një qen”, deklaroi Dewey pas daljes nga burgu. “Ata më hodhën në një vrimë të zezë, nga ku mund të shihja vetëm një fije të hollë të dritës së diellit për vite. Gati sa nuk jam çmendur”.
Pas vuajtjes së 16 viteve burgim, tashmë të burgosurit padrejtësisht duhet t’i akordohet një dëmshpërblim i majmë prej disa milionë dollarësh. Që prej vitit 1989, 290 persona janë liruar nga burgu në SHBA, pasi provat gjenetike në rishqyrtimin e çështjeve kanë treguar se ata kishin qenë të pafajshëm.
Top Channel