Zyra e OSBE-së për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje Serbisë: Mos përdorni forcë të tepruar policore në protesta! Sipas Komisionerit Europian për zgjerimin, Stefan Fule, Prishtina dhe Beogradi janë mirëkuptuar se cilat prej tre zgjedhjeve serbe duhet të mbahen në Kosovë si dhe për rolin e OSBEsë, ndërsa këto ditë janë zhvilluar negociata intensive, të cilat nuk kanë përfunduar ende.
Stefan Fule, Komisioneri Europian për zgjerimin e BE-së:
“Ka pasur një mirëkuptim mes Prishtinës dhe Beogradit, OSBE do të jetë organizata që do ta bëjë të mundur. Ka pasur negociata shumë intesinve këto ditët e fundit. Mesa jam i informuar negociatat për disa çështje vijojnë, megjithatë është rënë dakort për një marrëveshje të përgjithshme dhe modalitetet e saj”.
I pyetur nga TCH se a vijon të kundërshtojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, ndërkohë që politikanët serbë vijojnë të këmbëngulin për zhvillimin e tyre, Komisioneri Fule u përgjigj:
“Unë do përsëris egzaktësisht të njëjtat gjëra që kam thënë në ditët dhe javët e shkuara: Nuk ka vend për zgjedhjet lokale serbe dhe zhvillimin e tyre në territorin e Kosovës. Këtë e kam thënë shumë qartë dhe siç e shihni po e përsëris. Në të njëjtën kohë kam thënë se për zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale, atyre votuesve me të drejtë vote në territorin e Kosovës, duhet t’iu jepet mundësia që të marrin pjesë në këto zgjedhje”.
Në një debat në Bruksel për bashkëpunimin rajonal në Ballkan nga Qendra e Politikave Evropiane, Komisioneri Fule u shpreh i zhgënjyer nga mos-zbatimi i marrëveshjes të shkurtit mes Beogradit dhe Prishtinës, marrëveshje e cila i mundësoi Serbisë marrjen e statusit kandidat.
Pergatiti: Ernest Bunguri
Top Channel