Frakull, fshati që s’do t’i afrohet qytetit

01/05/2012 19:00

Frakulla, fshat i rrethit të Fierit, është i përhapur përgjatë një kodre.  Aty mikpritja të bën shumë përshtypje. Të gjithë të hapin dyert dhe të ftojnë brenda.

Në këtë fshat jetohet mirë dhe zhvillimi i tij ka ardhur si pasojë e emigracionit, por edhe ata që jetojnë aty punojnë me bujqësi dhe blegtori. Frakulla  na kujton shprehjen “ ta bëjmë fshatin si qyteti”.

Mikpritësit janë të zonjat e shtëpisë të cilat tregojnë jetën e tyre në fshat.

“Merrem me lulet sepse i kam pasion dhe qep në makinë. Punoj edhe për njerëzit: bëj triko dhe punë dore e i shes”, shprehet një banore në Frakull.

Një e re tregon dëshirën e saj për të shkuar në Tiranë: “Këtu ia kaloj mirë, por kur dal për kafe në qytet, në Fier, gjithmonë bëj fjalë me mamin. Dua që të shkoj në Tiranë për studime.”

Vizitat e shpeshta tek fqinja janë një mënyrë tjetër për të kaluar orët.

Një familje është kthyer nga Greqia ku kishte emigruar prej shumë vitesh për të investuar në fshatin e tyre. Burrë e grua i janë kushtuar kultivimit të frutit të luleshtrydhes.

“Në Shqipëri ka shumë pak sipërfaqe ku kultivohen luleshtrydhe dhe mendova të vija këtu për më shumë të ardhura”, shprehet burri.

Por, fshati ka edhe të varfër që të ardhurat i nxjerrin nga lopa.
“Me lopën merrem gjithë ditën. Pasi e mjel shkoj për t’I marrë bar e kështu më kalon dita”, shprehet gruaja.

Lokali i fshatit frekuentohet nga djemtë të cilët ndjekin ndeshjet e kampionateve më të forta europiane.

“Këtu rrinë deri në orën 12 të natës e bërtasin si në stadium”, thekson pronari, ndërsa klientët tregojnë se vajzat nuk vijnë kurrë në lokal.

“Pijmë kafe e kalojmë kohën, por vajza nuk ka sepse i pengon mentaliteti. Me të dashurat takohemi në Fier”, thotë një djalë i fshatit.

Frakulla na kujtoi se jetesa në fshat nuk mund të shihet më vetëm bardhë e zi.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA