Lideri i Partisë Socialiste Greke (Pasok), Evangelos Venizelos, paralajmëroi mundësinë e një rritje dramatike të mbështetjes për ektremin e djathtë në zgjedhjet e 6 majit.
Gjatë një mbledhje politike në qytetin e Patrës, Venizelos deklaroi se “nuk duhet të lejohen neonazistët që të hyjnë në Parlament me përshëndetjen naziste”.
Sipas sondazheve, pritet që partia e ekstremit të djathtë të fitojë vende në Parlamentin Grek për herë të parë në historinë e saj. Këto do të jenë zgjedhjet e para të përgjithshme në vendin fqinj që prej kredisë madhore të akorduar në mars, e cila u shoqërua me një paketë drastike shkurtimesh.
Partia e ekstremit të djathtë “Hryssi Avgi”, kundërshton kreditë madhore, që kanë detyruar qeveritë të ndërmarrin masa të vazhdueshme shtrënguese.
”Kjo lëvizje përfaqëson një fenomen ekstrem dhe është një ofendim për historinë dhe Parlamentin tonë”, deklaroi Venizelos.
Sipas sondazheve, “Pasok” do të paguajë çmimin e krizës ekonomike duke humbur maxhorancën, në zgjedhjet që pritet të fitohen nga partia e qendrës së djathtë, “Nea Demokratia” e Samaras. Megjithatë, të dy partitë kryesore të marra bashkë do të kenë më pak se 50% të votave, prandaj një qeveri e koalicionit të gjerë do të jetë e nevojshme të formohet.
”Hryssi Avgi” kërkon rikthimin e sistemit të vizave për t’u future në Greqi dhe përjashtimin e emigrantëve nga vendi.
Top Channel