Policia kosovare ka sekuestruar ditën e hënë një numër të madh posterash me portretin e ultranacionalistit serb, Vojisllav Sheshel.
Sipas raportimeve të “RTK”, posterat po shpërndaheshin për qëllime elektorale, në kuadër të fushatës së Partisë Radikale Serbe për zgjedhjet e përgjithshme.
Bashkë me posterat, nënvizon burimi mediatik, agjentët e Policisë së Kosovës kanë konfiskuar edhe sasi të mëdha fletushkash që përmbanin reklama elektorale.
Burimi shton më tej se materialet në fjalë janë konfiskuar në Graçanicë, në zyrën e kryetarit të Partisë Radikale për rajonin e Prishtinës, Dragutin Periç.
Aktualisht Sheshel ndodhet në burgun e gjykatës ndërkombëtare të Hagës, ku po gjykohet për një seri krimesh të kryera gjatë konfliktit të armatosur në Ballkan.
Ndërkohë, bashkëshortja e ultranacionalistit, Jadranka Sheshel, është një ndër 11 kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet presidenciale të muajit maj në Serbi.
Top Channel