Delvinë, banorët protestojnë për guroren

30/04/2012 00:00

Banorët e fshatrave të kodrës pranë hidrocentralit të Bistricës janë
duke zhvilluar protesta të përditshme për të penguar hapjen pranë
banesave të tyre të një guroreje që do të operojë në një sipërfaqe prej
10 hektarë.

Banorët e Livinës thonë se toka në këtë fshat është e rrëshqitshme dhe se shumë banesa janë shkatërruar për rrëshqitjeve massive që kanë ndodhur këtu në vitet 1994 dhe 2001.

Ata nga ana tjetër kundërshtojnë projektin edhe për faktin se tronditja prej makinerive të rënda e terrenit mund të devijojë ujin në puset që I gjithë fshati ka ndërtuar gjatë viteve të fundit. Banorët e kalojnë natën jashtë ndërsa presin prej autoriteteve qëndrore dhe gjykatës zgjidhje për këtë problem.

Nga ana tjetër firma qe ka guroren disponon një vendim të Këshillit të Ministrave të këtij viti që i jep asaj të drejtën e shfrytëzimit të kësaj hapësirë për 25 vjet.

Sipas kryetarit të komunës Mesopotam Themistokli Kaishi e njëjta firmë prej 3 vitesh po përpiqet të marrë në përdorim këtë territor, por komuna e ka refuzuar dicka të tillë, kërkesa nuk është miratuar as nga Ministria e Mjedisit, por mori miratim final nga Këshilli i ministrave. Komuna pretendon se nuk është kryer asnjë vlerësim gjeologjik paraprak para se të vendosej për shfrytëzim ndërsa bën me dije se i është drejtuar gjykatës.

Njëri prej pronarëve të firmës sqaron pretendimet e tij. Pritet që protestat e banorëve të përshkallëzohen ditët në vijim. Ata ju kanë bërë thirrje edhe bashkëfshatarëve të tyre në emigracion për t’u kthyer e për t’ju bashkuar protestës që synon të pengojë hapjen e gurores.

Top Channel