Greqi, më e lehtë të vdesësh se të jetosh

29/04/2012 14:10

Një fallxhor 38-vjeçar vari veten në një shtyllë elektrike në Athinë, në të njëjtën ditë kur një prift 35-vjeçar u hodh nga ballkoni i shtëpisë në Greqinë Veriore.

Gjithashtu gjatës javës, një student 23-vjeçar qëlloi veten me një plumb në kokë në një dhomë konvikti. Lista e vetvrasjeve në vetëm pak ditë përfshiu edhe raste të tjera, por në Greqinë e sotme, fenomeni zor se përbën më lajm.

Përpara fillimit të krizës, vendi helen ka patur një prej statistikave më të ulta të vetvrasjeve në botë, lidhur me standartin e mirë të jetesës, klimën e përshtatshme dhe jetën përgjithësisht pa shumë strese.

Megjithatë, ndërsa kriza ekonomike ka arritur kulmin e saj, gjithmonë e më shumë grekë të pashpresë kryejnë aktin final të dëshpërimit të tyre, duke i marrë jetën vetes.

Megjithatë, vetvrasja më dramatike deri më sot ishte ajo e Dimitris Christoulas, 77-vjeçari farmacist i cili i mori jetën vetes në 4 prill përpara përlamentit, duke lënë një letër, në të cilën shkruante se refuzonte që të përfundonte jetën e tij të nderuar duke lypur.

“Nuk shoh asnjë zgjidhje tjetër për të siguruar mbijetesën, përveçse të peshkoj nëpër kazanët e plehrave për ushqim dhe kanaçe e kjo është diçka të cilën nuk do ta bëj”, shkruante Christoulas, i shndërruar me vdekjen e tij në një “martir” të vuajtjeve kombëtare dhe planit të kursimeve që ka gjunjëzuar shumë grekë.

Që prej atehërë, në gazetat helene, vetvrasjet janë shndërruar në një fenomen të përditshëm, duke e shndërruar dikur “oazin” e qetë të Ballkanit, në krye të listës së vendeve depresive.

Por, nuk është vetëm dhënia fund e jetës apo tentativat ato që janë rritur, ndërsa mjekimet anti-depresionit dhe numri i njerëzve që kanë nevojë për ndihmë psikiatrike janë shtuar në mënyrë dramatike gjithashtu.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, vetëm gjatë vitit 2010-s, numri i personave që kishin nevojë për trajtim mendor u rrit me 40%, ndërsa vetvrasjet janë dyfishuar, me një mesatare prej 5 personash për 100 mijë.

Dhe sipas ekspertëve, tendenca do të vazhdojë të rritet sepse ndërsa vendit përpiqet të paguajë borxhet e tij, kujdesi për atë shtresë të popullsisë që nuk e përballon dot më jetën e tij të përditshme, është pothuajse inekzistent. Siç shkruante një gazetë vendase, një trajtim mujor në një psikolog kushton mesatarisht 130 euro. Shifër, që për shumë grekë të sotëm, është tashmë një luks i palejueshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA