Një vit nga vrasja e Bin Laden

28/04/2012 00:00

Pas pak ditësh do të bëhet plot një vit nga vrasja e njeriut që më 11
shtator të vitit 2001 tronditi botën, duke organizuar sulmet ndaj
Kullave Binjake në Nju Jork dhe Pentagonit në Uashington.

Në maj të vitit të kaluar, një grup komandosh të njësisë elitë Navy Seal, të ushtrisë amerikane, u futën në rezidencën e Osama bin Laden në Abotabad, duke ekzekutuar atë që njihej si sheiku i terrorit.

Një vit më pas, duke analizuar ngjarjen, vërehet se vrasja e kreut të Al Kaedës ka pasur pasoja pozitive nga njëra anë, por edhe disa negative nga ana tjetër.

Kështu, këto ditë nuk kanë munguar deklaratat e zyrtarëve që i kanë komentuar këto pasoja, qofshin ato të parashikuara apo jo.

Panetta: S’ka mrekulli që shkatërron Al Kaedën

“Nuk ka dyshim që Shtetet e Bashkuara janë më të sigurta me Bin ladenin e vdekur, edhe pse nuk ka një mënyrë për të shkatërruar Al Kaedën”.

Deklarata është bërë nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, i cili ka shtuar: “Nuk ekziston plumbi i mrekullisë”.  

Ndërkohë, FBI ka lajmëruar mbi mundësinë e atentateve terroriste ditën e përvjetorit të vrasjes së sheikut të terrorit.

Bin Laden, Pakistani: SHBA të kërkojnë falje

Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur të “arnojnë” marrëdhëniet e tyre të futura në krizë të thellë, pas operacionit të komandove amerikanë për të vrarë Bin Laden, për të cilin nuk u informuan autoritetet pakistaneze.

Gjithashtu, Islamabadi zyrtar është ende i acaruar për sulmin e NATO-s në nëntorin e kaluar, ku mbetën të vrarë 24 ushtarë pakistanezë.

I dërguari i SHBA për rajonin, Marc Grossman u nis dje nga Islamabadi pa mundur të zhbllokojë ngërçin, duke thënë se Pakistani dëshiron që Amerika t’i kërkojë falje për dy ngjarjet në fjalë, si kusht për rigjenerimin e raporteve.

Bin Laden tha: “Mos e ndizni dritën”

“Mos e ndizni dritën”, kanë qenë fjalët e fundit të Osama bin Laden para se të ndëshkohej nga komandot amerikanë në rezidencën e tij në Abotabad të Pakistanit.

Kështu thuhet në librin e Peter Bergen, “Manhunt”, disa pjesë të të cilit janë publikuar para daljes në shitje nga mediat amerikane.

“Uashingtoni shqyrtoi mënyra të ndryshme për të kryer operacionin, përfshirë këtu bombat eksperimentale”, shkruan Bergen.

Libri zbulon gjithashtu sherrin që shpërtheu nëse presidenti Obama duhet të merrte pjesë në një darkë gjatë operacionit, apo ta ndiqte atë direkt.

Bind Laden, jo publikimit të fotove

Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara ka refuzuar kërkesën e radhës për publikimin e fotove dhe videos së komandove amerikanë gjatë operacionit për kapjen e sheikut të terrorit.

Kërkesa ishte bërë nga njësia “Judicial Watch”, një grup ligjor konservator, i cili i kishte dërguar një letër Departamentit të Drejtësisë.

Në letrën në fjalë grupi kërkonte respektimin e Aktit të Lirisë së Informimit, që mundëson aksesin tek dokumentat e ruajtur nga qeveria dhe për rrjedhojë edhe fotot.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA