Reali, “revolucion” në sezonin e ardhshëm

27/04/2012 10:50

Pas eliminimit nga Champions League, Realit të Madridit i mbetet për të fituar vetëm kampionati, ndërsa Jose Mourinho ka nisur ndërkohë të bëjë përgatitjet për një fushatë të fuqishme blerjesh në verë.

Trajneri portugez ka vendosur që të qëndrojë edhe një vit më shumë në “Santiago Bernabeu”, por e ka të qartë se pas Kupës së një viti më parë dhe kampionatit (nëse do të mbërrijë) në këtë sezon, në 2013-n do t’i kërkohet me ngulm fitimi i Champions League.

Për këtë arsye, skuadra duhet rifreskuar dhe këtë herë, diçka e tillë do të nisë që nga porta. Ndonëse Casillas është i paprekshëm, mosmarrëveshjet që ka patur me të, kanë bindur Moun që të rrisë konkurrencën në këtë repart dhe francezi i Atletiko Madrid, Courtois, është i preferuari i Jose.

Në mbrojtje, Mourinho synon të afrojë dy futbollistë. Njëri prej tyre do të jetë një mbrojtës i djathtë, pasi në rastet kur Ramos luan qëndror, në këtë pozicion mbetet vetëm Arbeloa.

Mbrojtësi i dytë që do të mbërrijë do të luajë në qendër, pasi Carvalho dhe Albiol nuk pritet të vazhdojnë në skuadër. Në mesfushë, trajneri portugez synon të afrojë një futbollist të fortë fizikisht dhe me një gjuajtje të rrezikshme nga larg dhe i preferuari i tij është Javi Martinez i Bilbaos. Gjithashtu, në skuadër duhet të afrohet një futbollist me karakteristika të ngjashme të Di Marias, për të zëvendësuar argjentinasin atëherë kur dëmtohet.

Përsa i përket sulmit, në dyshim mbetet qëndrimi i Higuain. Aguero është një lojtar pas të cilit Mourinho është i dashuruar, por blerja e tij nga Manchester City duket shumë e vështirë për t’u realizuar.

Përsa i përket largimeve, Diarra, Altintop, Karvalho, Albiol dhe Kaka janë në listën e atyre për të cilët do të dëgjohen oferta.

Top Channel