‘Pasdite’, fermerët e injoruar

26/04/2012 19:30

Javën e kaluar lajmi që pushtoi gati të gjithë të përditshmet ishte i disa fermerëve që po hidhnin dëm qepët e patatet sepse nuk mund t’i shisnin dot.

Pamjet ishin dramatike sepse po ta mendosh, me qindra kilogramë perime të prodhimit vendas hidhen në lumë e ndërkohë të njëjtat produkte, por të eksportit shiten në treg.

Këtë fenomen e shpjegoi zv/ministri i Bujqësisë, Ndoc Fasllia, i ftuar në emisionin ‘Pasdite në Top Channel’:“Nuk është fenomen që karakterizon të gjithë bujqësinë, megjithatë ka dy faktorë kryesorë: ecuria e prodhimit bujqësor dhe orientimi i fermerëve tek ekonomia private.
Para 6-7 vitesh ky fenomen nuk ka ekzistuar. Prodhimi i perimeve dhe frutave është rritur me 40%. Fermeri duhet të mendojë për magazinimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore. Prodhimi mund të ruhet dhe të tregtohet më vonë. Problemi është se rritjes së shpejtë të prodhimit nuk i janë përgjigjur as investitorët dhe as institucionet përkatëse.”

Ndërsa përsa i përket orientimit të fermerëve zoti Fasllia thekson: “Fermeri shqiptar në këto vite prodhon mirë dhe me cilësi, por nuk është përshtatur me lojën e tregut, me kërkesën dhe ofertën. Duhet nxitur kooperimi në sektorin bujqësor dhe Ministria e ka nisur punën për këtë sepse fermeri nuk mund t’ia dalë i vetëm.”

Më tej zëvendësministri shton: “Bujqësia shqiptare ka një problem: është sezonale. Ne nuk arrijmë dot të prodhojmë me vazhdimësi për shkak të kushteve klimaterike dhe për këtë arsye importojmë në dimër. Për shembull tani i gjithë prodhimi është vendas dhe çmimet janë të lira. Dhjetor-mars është periudha ku importojmë.”

Ndërsa profesori Zef Gjeta, pedagog dhe agronom, nënvizoi: “Shumë fermerë nuk e punojnë tokën, nuk e japin në përdorim e as nuk e shesin, por toka është një pasuri kombëtare dhe nuk duhet lënë djerrë. Këta fermerë janë individualistë dhe as kryetarët e komunave nuk bashkohen me njëri-tjetrin e të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.”

Mungesa e organizimit është faktori që pengon bujqësinë tonë sipas Zana Vokopolës, nga Instituti i Kërkimeve Urbane: “Zëri i fermerëve dëgjohet sepse bujqësia na prek të gjithëve. Fermerët janë të organizuar, por ende në hapat e parë të organizimit për të bërë mjete frigoriferike etj. Situata do ishte ndryshe po të kishim organizim.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA