Ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj ka deklaruar se platforma
“Ahtisari” është e vetmja që mund të aplikohet për veriun e Kosovës.

Qëndrimin e tij Hoxhaj e bëri publik pas një takimi me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferi, i cili nga ana e tij është shprehur kundër një statusi special për veriun.

“Nëse Mitrovica do të kishte një status special, atëherë kostoja e saj do të ishte shumë e lartë”, ka deklaruar Xhaferi, i cituar nga edicioni online i “RTK”.

Ministri Hoxhaj ka vijuar më tej se, qeveria e Kosovës është e vendosur të implementojë marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve me Serbinë.

Ndërsa Xhaferi ka vlerësuar se, duke qenë se të dyja vendet synojnë anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian, bashkëpunimi mes tyre duhet të jetë prioritar.

Situata në veri të Mitrovicës u tensionua dy javë më parë, pas vrasjes së shqiptarit Selver Haradinaj përmes një bombe të vendosur në banesën e tij.

Në mungesë të sigurisë dhe pranisë së strukturave shtetërore, banorët shqiptarë u detyruan të merrnin armët për t’u vetëmbrojtur nga strukturat paralele, që fajësohen për vrasjet.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian dhe misioni i KFOR-it i bënë thirrje Prishtinës zyrtare që të distancohet nga opsioni i përdorimit të forcës për zgjidhjen e situatës në veri.

Reagimi erdhi pasi qeveria e Kosovës paralajmëroi për përsëritjen e një aksioni policor si ai i 25 korrikut në veri, për të vënë nën kontroll situatën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA