Sërish prishet qetësia në Mitrovicë. Për disa minuta qendra e qytetit u shndërrua në zonë përleshjesh me armë zjarri mes dy grupeve me njerëz të armatosur.

Për pasojë humbi jetën Florim Islami 31 vjeç, nga qyteti i Mitrovicës dhe një tjetër u plagos dhe përfundoi në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

“Një automjet me 4 persona ndërpreu rrugëtimin e automjetit të viktimave, tip “Benz”, dhe personat që udhëtonin në të kanë dalë dhe kanë qëlluar në drejtim të viktimave. Më pas sulmuesit kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes me një makinë tjetër tip “Opel”, të cilën policia po e identifikon”, ka deklaruar Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Kjo ngjarje terrorizoi qytetarët të cilët banojnë në këtë zonë. Policia tregon se 40 plumba u shkrepën gjithsej në këtë perleshje me armë, gjatë së cilës u përdorën së paku tri lloje të kalibrave të ndryshëm, përfshirë këtu edhe armë automatike.

Dhe disa prej këtyre plumbave kanë depërtuar nëpër shtëpitë dhe pronat private. Pas hetimeve të para policia ka arritur të zbulojë se arsyet e këtij sulmi vijnë pas një mosmarrëveshjeje të grupeve për çështje biznesi.

“Motivet e këtij akti janë të karakterit kriminal, pasi grupet kanë pasur një zënkë për mosmarrëveshje të hershme. Është konflikt për çështje biznesi, pasi policia i njeh”, ka sqaruar Hoti.

Jozyrtarisht mësohet se grupet e përfshira në këtë ngjarje merreshin me biznesin e naftës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA