Superliga, bie Tirana-Teuta, Skëndërbeu në krye

25/04/2012 18:10

Skëndërbeu rikthehet në kryesimin e Superligës Shqiptare dhe tre javë nga fundi i kampionatit, ka në dorë fatin e tij.

Megjithatë, lajmi i vërtetë i ditës nuk është fitorja e pritshme e korçarëve në shtëpinë e tyre përballë Vllaznisë (2-1), por humbja e Teutës në Krujë, përballë Laçit dhe ajo e Tiranës në derbi.

Durrsakët, të rikthyer në kryesim pas humbjes së Skënderbeut një javë më parë në Vlorë, duket se nuk e përballuan dot presionin e të qënit të parët dhe u mposhtën në një sfidë të dyluftuar me Laçin, në fushë asnjënëse.

Tirana, dy herë në avantazh, me golat e Balës dhe Kalarit, u arrit në dy raste prej dinamovitëve të vendit të fundit, përpara se një penallti në minutën e fundit, e konvertuar në gol nga Kuli, t’i jepte dinamovitëve një shpresë, sado të vakët, për mbijetesë (-5 pikë nga Pogradeci i vendit të 12-të).

Tashmë në luftën për titull, gjithçka është në dorë të korçarëve, që luajnë në tre javët e mbetura me tre skuadra të kalueshme, si Bylisi, Apolonia dhe Pogradeci.

Në ndeshjet e tjera, rihapet beteja për vendin e katërt në renditje, pasi fitorja e Kastriotit në Krujë, u shoqërua me humbjen e Flamurtarit në Berat, pas një ndeshje të dyluftuar.

Kamza mposhti Pogradecin në periferinë e kryeqyetit, ndërsa Apolonia arriti një fitore të rëndësishme për mbijetesë duke mposhtur Bylisin.

Top Channel