Kinë, aktivistët shpëtojnë qindra qen nga therja

25/04/2012 16:40

Disa qindra qen u shpëtuan nga një grup aktivistësh kinezë minuta përpara se të mbërrinin në një thertore, ku do të thereshin dhe do të dërgoheshin në tryezat e disa restoranteve tradicionalë.

Mishi i qenit është një prej ushqimeve të zakonshme në Kinë, ndonëse së fundmi fushatat ndërgjegjësuese e kanë bërë gjithmonë e më të vështirë therjen e tyre dhe gjithmonë e më të ulët numrin e personave që rrjedhimisht i konsumojnë.

Një maune, në total me 505 qen të vendosur në 156 kafazë të vegjël, u ndalua në autostradë nga Fumini në Kunming, në krahinën e Junanit, nga një grup aktivistësh për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve.

Aktivistët vendosën menjëherë foto të kafshëve dhe kushteve çnjerëzore me të cilat trajtoheshin në rrjetet sociale, duke marrë një mbështetje masive nga shumë vende të botës perëndimore.

Për shkak të kushteve brutale me të cilat po transportoheshin, për disa prej qenve, ishte fatkeqësisht shumë vonë për t’u shpëtuar, ndërsa ata kishin ngordhur rrugës.

Një aktivisit, pranoi për një media ndërkombëtare se duke qenë se në Kinë nuk ka ende një ligj për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, ata janë ende të pafuqishëm për të penguar praktikën çnjerëzore, por të paktën kërkojnë të bëhet më shumë për të ndaluar trafikimin dhe therjen e paligjshme.

Në Kinë, ekzistojnë me mijëra ferma të licensuara për rritjen dhe mbarështimin e qenve për arsye ushqimi.

Në total, janë 11 vendet e botës që e konsumojnë në ditët e sotme mishin e qenit, shumica prej të cilave të ndodhura në Azi, por midis tyre edhe Meksika e Zvicra, ku mishi i qenit është popullor në dy kantone të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA