Fransua Holond, kandidati socialist për president në Francë ripërsëriti se kërkon një drejtim tjetër për Europën. Ai foli për edicionin kryesor të lajmeve të TF1, dy ditë pas raundit të parë që e nxorri atë fitues, ndaj presidentit Nikola Sarkozi.
“Nëse do të zgjidhem President i Republikës do të ketë një ndryshim në drejtimin për ndërtimin europian. Nuk do të ketë më tregëti të lirë dhe konkurrencë pa kufij”, tha Holond.
Holond tha se megjithëse kancelarja gjermane, Angela Merkel e ka shprehur hapur mbështetjen për kundershtarin Nikola Sarkozi, udhëtimin e parë do ta bëjë në Gjermani .
“Buxhet serioz, po. Masa shpëtimi të perjetshme, jo. Kësisoj do të rinegocioj traktatin. Zonja Merkel e di se nëse francezët më japin mua përgjegjësinë, udhëtimi im i parë do të jetë për t’i konfirmuar asaj votën e popullit francez për një Europë Tjetër”, shtoi Holond.
Disa analiste paralajmerojne humbjen e Sarkozisë më 6 maj, kur do te zhvillohet dhe raundi i dyte i zgjedhjeve presidenciale, cka do të dobësojë bashkëpunimin e ngushtë të Francës dhe Gjermanisë, për t’i bërë ballë krizës së eurozonës.
Analistë të tjerë thonë se nëse Holond fiton, zor se ai do të jetë kërcënimi për kursin e masave fiskale. Analistët e tregjeve financiare janë të mendimit se kushdo që do të fitojë duhet të ndërmarrë masa edhe më të forta, nga cfarë kanë deklaruar gjatë fushatës, reduktim të shpenzimeve publike si dhe rritje të taksave për të ulur deficitin buxhetor.
Më herët, Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle i kërkoi Francës t’i përmbahet paktit fiskal duke mos vënë në pikëpyetje masat e shpëtimit të BE-së.
“Ne besojmë vendosmërisht se është e paarsyeshme të vësh në pikëpyetje lirinë e udhëtimit në Europë. Nuk e pranojmë këtë. Gjithashtu besojme se është e paarsyeshme të vemë në pikëpyetje paktin fiskal. Edhe këtë nuk e pranojmë”, tha Vestervelle.
Fronti europian kundër masave të shpëtimit të BE-së, po zgjerohet javët e fundit. Spanja po lufton me të gjitha mundësitë, për të përmbushur objektivat e caktuar nga BE për deficitin, fushata zgjedhore në Greqi karakterizohet nga slloganet kundër masave të shpëtimit, ndërsa në Holandë, revolta ndaj reduktimeve shtesë të shpenzimeve, coi në rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Mark Rute.
Top Channel