Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës lidhet ekskluzivisht vetëm me fundin e misionit të prezencës civile ndërkombëtare, por jo edhe me EULEX-in dhe KFOR-in.

Misioni i Bashkimit Europian, EULEX, do të vazhdojë të punojë në Kosovë edhe pas shtatorit të 2012-ës, kur parashihet të përmbyllet mbikëqyrja.

Për më tepër, ky mision do të vazhdojë të ketë kompetenca ekzekutive edhe pas vjeshtës, por ato do të shkojnë duke u reduktuar, deklarojnë zyrtarë të qeverisë së Kosovës.

“Pavarësia e mbikëqyrur apo mbikëqyrja e pavarësisë lidhet me prezencën e misionit civil ndërkombëtar që ka pasur kompetenca mbi pakon e Ahtisarit, ndërsa misioni i EULEX-it dhe KFOR-it në Kosovë janë si dy misione të pavarura nga kjo që kanë ardhur me kërkesë të institucioneve vendore dhe do të veprojnë në koordinim dhe partneritet me ne. Unë besoj që misioni i EULEX-it do të vazhdojë edhe pas kësaj. Ndoshta për një periudhë do të ketë mision apo fuqi ekzekutive, por gjithmonë duke reduktuar fuqitë e tyre dhe duke ngritur kapacitetet tona”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Kuçi ka rikujtuar se pavarësisht se EULEX-i është mision neutral ndaj statusit politik të Kosovës, ai punon në bazë të ligjeve të Kosovës. Për herë të parë zëvëndëskryeministri, që njëherësh drejton Ministrinë e Drejtësisë, zbuloi një kontest gjyqësor që ka pasur me një gjyqtar të EULEX-it, të cilin tha se e ka fituar.

“Pasi jam bërë ministër i Drejtësisë kam pasur një rast me një gjyqtar të Gjykatës Supreme që nuk ka zbatuar ligjet e aplikueshme në Kosovë. E kam ngritur çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe kam fituar të drejtën qind për qind. E kemi ngritur si institucione dhe Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që në Kosovë ka vetëm një lloj ligji të palikueshëm. Gjyqtari ka qenë i EULEX-it”, ka theksuar Kuçi.

Sipas Kuçit, qeveria është duke biseduar me EULEX-in dhe pritet të propozojë që ky mision të jetë i pranishëm në Kosovë deri më 2014, dhe se do të vazhdojë të ketë rol në raste gjyqësore që ndërlidhen me krime të luftës apo profile të larta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA