Dueli në distancë Juve-Milan

25/04/2012 00:00

Tre pikë, katër ndeshje, kaq ndajnë Juventusin dhe Milanin nga përcaktimi i titullit kampion të Serisë A. Edhe pas ndeshjeve të mesjavës, bardhezinjtë mbeten në krye të Serisë A falë fitores 0-1 në transfertë ndaj Cezenës, ndërkohë që kuqezinjtë ndjekin hap pas hapi pas fitores kundër Xhenoas po 1-0, por në San Siro.

Borrielo në minutën e 80-të të takimit shënoi golin e parë me fanelën e Juventusit dhe të vetmin e takimit, një gol që mund të rezultojë me peshën e një titulli, ndërkohë që në minutën e 9-të, Pirlo gaboi nga pika e bardhë e 11 metërshit duke goditur shtyllën pingule të Antoniolit.

Në San Siro, Milani iu kundërpërgjigj me Boateng golit të Borrielos kundër Cezenës. Mesfushori kuqezi shënoi në minutën e 86-të të takimit, një gol që mban Milanin me të njëjtin hap me kryesuesit e Juventusit.

Pas këtyre ndeshjeve, Juventus ngjitet në kuotën e 74 pikëve, ndërsa Milani 71.

Ndizet lufta “Champions”

Interi mundi Udinezen në transfertë 3-1 dhe 4 ndeshje nga fundi i
kampionatit dhe  e sheh veten vetëm 3 pikë larg vendit të tretë, vend që
përkthehet me pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.

Skuadra e Stramacionit, falë dy lojtarëve të rikthyer në formacion, holandezit Sneijder dhe Alvarez zhvleftësoi golin e shënuar nga Danilo për vendasit që në minutën e 6 të takimit. Holandezi shënoi dy herë, në minutën e 10 dhe në minutën e 28, ndërkohë që rezultati i pjesës së parë dhe gjithë takimit do të vulosej nga Alvarez në minutën e 37.

Ndërkohë, në ndeshjet e tjera, Lacio pësoi një humbje shokuese ndaj Novarës, kur u mund me rezultatin 2-1. Ky rezultat rrezikon seriozisht vendin e tretë për bardhekaltërit që mbeten në vend me 55 pikë, një më shumë se Napoli i vendit të katërt e dy se vendi i pestë që tashmë mbahet nga Interi. Lacio-Inter kanë edhe përballjen direkte, e rezervuar për javën e fundit të Serisë A.

Ndërkohë, Roma nuk ka mundur të përfitojë nga humbja e Lacios dhe tashmë objektivin “Champions” e sheh akoma më larg. Verdhekuqtë, pas humbjes së thellë ndaj Juventusit në fundjavë, sot u mposhtën nga Fiorentina, brenda në fushën e tyre me rezultatin 2-1. Kjo humbje  mban Romën në kuotën e 50 pikëve, në vendin e 7 dhe 5 pikë larg Lacios, ndërkohë që Fiorentina përforcion pozitat në tabelë duke iu larguar zonës së ftohtë.

Skuadra që ka përfituar më shumë nga humbja e Lacios dhe e Udinezes (ndaj Interit) është Napoli. Të kaltërit e Maxarrit fituan në transfertë 0-2 ndaj Leces duke u ngjitur në vendin e katër me 54 pikë, -1 nga zona “Champions”.

Top Channel