Champions, përplasja Real Madrid-Bayern Munchen

25/04/2012 11:40

Jose Mourinho ka humbur tre nga pesë gjysmëfinalet e Champions League, por në mbrëmjen e sotme përballë Bayern Munchen ai duket i gatshëm për të fituar e për të kaluar në finale.

“Besoj se Bayern e kupton që po nuk na shënoi është i eliminuar, ndërkohë që ne me potencialin që kemi në sulm, është e sigurtë që do të shënojmë”, deklaroi Mourinho në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me gjermanët.

Madrilenët vijnë në këtë ndeshje pasi kanë fituar El Klasikon dhe thuajse kanë siguruar titullin kampion në Spanjë. Ata kanë fituar 10 nga 11 ndeshjet e fundit në shtëpi në Champions League dhe kanë shënuar 22 gola, ndërkohë që kanë pësuar 5.

Por Bayern Munchen nuk duket aspak i frikësuar për këtë ndeshje kthimi, aq më tepër pasi ka fituar takimin e parë 2-1 në Allianz Arena.

“Vërtet fituan ndaj Barcelonës dhe treguan se çfarë dinë të bëjnë, por Bayern po kalon një periudhë shumë të mirë për momentin. Sigurisht që mund ta vëmë në vështirësi dhe besojmë se do t’ia dalim mbanë”, ka thënë trajneri Jupp Heynckess.

Chelsea si finaliste e parë ashtu si të gjithë ne do të presë mbrëmjen e sotme për të mësuar kundërshtarin me të cilin do të përballete në Mynih në finalen e Champions League.
Emocione të cilat do të keni mundësinë t’i ndiqni drejtpërdrejtë në Super Sport nëpërmjet platformës Digitalb.

Top Channel