Katër persona u arrestuan dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga krimi ekonimik në Drejtorinë e policisë së Korçës.
Të arrestuarit akuzohen se kanë vjedhur dhe shitur për skrap materiale që kanë hequr nga stacioni hekurudhor i Pogradecit, në Gurin e Kuq.
Të arrestuarit në operacionin e koduar “Skrapi” janë: Eldi Palla, banues në fshatin Memelisht të Pogradecit; Albi Palla, banues në të njëjtin fshat; Erigest Zeneli, 29 vjeç dhe banues në lagjen numër 2 të Pogradecit; Pëllumb Xhukellari, banues në fshatin Verdovë dhe pronar i një pike skrapi në fshatin Remenj.
Ndërkohë, u bë shpallja në kërkim e 19-vjeçarit me iniciale C.K, banues në Cervenakë të Pogradecit.
Proçedimi penal ndaj shtetasve të mësipërm ka nisur pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur një sasi prej 694 kg pllaka e gozhdë shinash të hekurudhës në stacionin e Gurit te Kuq dhe me pas i kanë shitur dhe grumbulluar për skrap.
Policia njofton se do vijojë kontrollet në pikat e grumbullimit të skrapit për të gjetur materiale të vjedhura. Stacioni hekurudhor në Gurin e Kuq prej disa muajsh është jofunksional, pasi asnjë tren mallrash apo udhëtarësh nuk mund të mbërrijë.
Ndërkohë, listës së gjatë të veprave të shkatërruara për skrap i është shtuar edhe kaskada ujitëse e lumit të Dunavecit në Korçë, që ka dëmtuar fermerët.
Gjithashtu, shënjestër e grabitësve është bërë edhe ish-uzina e superfosfatit të Laçit, ku banorët e zonës përreth shkëpusin pjesë të saj për t’i shitur në pikat më të afërta të grumbullimit të skrapit.
Top Channel