Mourinho: Dua që Chelsea të kualifikohet

24/04/2012 15:30

“Po mendoj për ndeshjen e vështirë që do të luajë ekipi im ndaj Bayern Munchen, por them pa hipokrizi se dua që Chelsea të kalojë në finale. Nëse Barcelona do të luante ndaj Arsenalit apo Milanit do të thoja që të fitojë më i miri, por me Chelsea-n jam i lidhur shumë.”

Këto janë fjalët e Jose Mourinho në prag të gjysmëfinales së Ligës së Kampioneve Real Madrid-Bayern Munchen. Tekniku portugez i madrilenëve foli për gjysmëfinalen tjetër mes ish-ekipit të tij dhe rivalëve të përjetshëm katalanas duke preferuar që në një finale të mundshme të gjejë londinezët.

Më tej, Special One u përqendrua në sfidën ndaj bavarezëve: “Finalja e Champions është më e rëndësishmja në futboll. Ndeshja ndaj Bayern është një finale e parakohshme, por jemi të qetë.”

“E dimë mirë se çfarë duhet të bëjmë. Bayern duhet të shënojë me patjetër të mërkurën, por edhe ne do të sulmojmë. Gjermanët janë një ekip shumë i mirë dhe kanë mundësitë e tyre për të arritur finalen”, shtoi Mourinho.

Top Channel