Vendi i gatshëm të përmbushë detyrimet e NATO

23/04/2012 00:00

Shqipëria harxhon për mbrojtjen 1.4% të produktit të brendshëm bruto. Ndërkohë që si vend anëtar i NATO-s është 2%.

Por, në këto kohë krizash financiare, ku çdo euro, dollar apo paund ka vlerë, detyrimin për një buxhet të mbrojtjes sa 2% të GDP-së pak anëtarë të NATO-s e respektojnë. Në këtë moment, hyn në lojë “smart defense”, (mbrojtja inteligjente), një koncept që nxit investimin inteligjent në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin mes anëtarëve. Kjo mbrojtje e zgjuar dhe bashkëpunimi rajonal mes vendeve të Europës Juglindore” ishte tema e konferencës ndërkombëtare të organizuar në Tiranë, nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.

“Në kohën e krizës globale, buxhetet e mbrojtjes nuk kanë qenë imune. Në kohë të tilla ne kemi nevojë edhe më shumë për njëri-tjetrin. Të gjithë së bashku, ne do të vazhdojmë të investojmë në terma militarë, ekonomikë dhe politikë. Mbrojtja inteligjente do të thotë se investimi financiar duhet të bëhet thjesht në një mënyrë më të zgjuar”, tha kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Kjo gatishmëri për të përshtatur konceptin e mbrojtjes inteligjente gjeti edhe mbështetjen e kryeministrit Berisha, i cili shprehu edhe njëherë vendosmërinë e qeverisë për të mbajtur trupat ushtarake në Afganistan.

“Shqipëria është e vendosur të përmbushë detyrimet e saj. Ne do të qëndrojmë aty për aq kohë sa Shtetet e Bashkuara dhe NATO do të jenë në atë vend, për të dhënë edhe ne kontributin tonë modest”, tha Berisha.

Vetëm përpara pak kohësh Shqipëria humbi ushtarakun e parë të angazhuar jashtë vendit, pas një incidenti të armatosur që implikoi disa trupa shqiptare të vendosura në Kandahar të Afganistanit. Por në Shqipëri as forcat politike dhe as opinoni publik nuk e kanë vënë ndonjëherë në diskutim angazhimin ushtarak të Shqipërisë në Irak apo Afganistan.

Top Channel