Rumennigge: Nuk kemi frikë nga Real Madrid

23/04/2012 13:10

Karl-Heinz Rummenigge, presidenti i Bayern Munchen, është shprehur në një intervistë për ‘TZ’ se ekipi gjerman do të zbresë në fushë “me respekt dhe jo frikë ndaj Real Madrid”.

“E respektojmë Realin, por nuk e kemi frikë edhe pse ndeshja luhet në Bernabeu. E dimë që na pret “ferri” atje, por kemi mundësitë tona. Me fitoren 2-1 që arritëm në Allianz Arena i kemi dhënë shanse vetes, por duhet të jemi shumë të përqendruar”, deklaroi ish-futbollisti i Bayern.

Për bavarezët kalimi në finale është një ëndërr sepse ndeshja më e rëndësishme e një sezoni futbollistik do të luhet në stadiumin e tyre: “Do të ishte hera e parë që një ekip luan finalen e Champions në stadiumin e tij. Do të ishte fantastike. Do të bëjmë gjithçka për t’ia arritur qëllimit.”

Viktor Kassai, arbitri i Real Madrid-Bayern Munchen

Viktor Kassai është përzgjedhur nga UEFA si arbitri i gjysmëfinales së kthimit të Ligës së Kampioneve mes Real Madrid dhe Bayern Munchen.

Hungarezi konsiderohet si arbitri më i mirë i momentit në botë dhe do të jetë një nga gjyqtarët e Euro 2012 në Poloni dhe Ukrainë.

Në vitin 2011 është shpallur arbitri më i mirë nga Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS).

Real Madrid-Bayern Munchen do të luhet ditën e mërkurë, në orën 20.45.

Top Channel