24 parti nga spektri i djathtë dhe i majtë u ulën në një tryezë për ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Ato kërkuan mbështetjen e PS, e cila përfaqësohej në këtë takim nga kryetari Edi Rama.
Kryetari i PD, Sali Berisha nuk ishte i pranishëm, ndërsa u përfaqësua nga Ilir Rusmaji dhe Oerd Bylykbashi. Të vegjlit në kor janë shprehur se sistemi aktual spanjoll është deformuar.
Paskal Milo: Nuk kemi ardhur qe ta konceptojme çështjen e reformës zgjedhore dhe të hartimit të Kodit Zgjedhor, si një pronë që u takon vetëm dy partive politike dhe që ne po vijmë këtu që të lutemi, që të na jepni edhe neve disa thërrime nga prona që iu takon juve. Kjo duhet të jetë shumë e qartë sepse kemi të bëjmë me një koncept shumë të gabuar parimor. Kemi të bëjmë me një ligj që u takon të gjitha forcave politike, të mëdha e të vogla, të kontribuojnë, të bëhet një ligj më në fund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Edi Rama: Në parim e kemi thënë dhe e konfirmojmë këtu, që jemi të gatshëm të eksplorojmë bashkë me të gjithë të tjerët, mundësitë e përmirësimit të sistemit, por siç e kemi thënë duhet ta përsëris, ne nuk e kushtëzojmë reformën zgjedhore me ndryshimin e sistemit. Për ne themelor është që procesi zgjedhor të funksionojë mbi bazën e standarteve ndërkombëtare dhe kur them nuk e kushtëzojmë, do të thotë dhe është shumë e thjeshtë që për të ndërhyrë në sistem për cfarëdolloj përmirësimi, duhen dy palë dhe është e drejta e secilës palë që ta ketë apo të mos e ketë vullnetin për të ndërhyrë në sistem.
Ilir Rusmali: Ju siguroj në emër të Partise Demokratike, sot ne erdhëm ketu per të dëgjuar me shumë vëmendje shqetësimet e partive të vogla, por jo vetëm për t’i dëgjuar ato, sepse i kemi dëgjuar të shprehura individualisht, jam i sigurt që do t’i dëgjojmë edhe në ditët në vijim edhe në forma të ndryshme organizimi, por edhe për t’i përpunuar ato me veten tonë, me kolegët me oponentët politikë. Tematika që trajtohet sot është shumë e rëndësishme, për të përfituar më të mirën e mundshme nga kjo tematikë. Ka shumë rëndësi që përqasja të bëhet me një shpirt absolut konstruktiviteti. Nuk jemi duke kërkuar të plotësojmë tekat e njërit apo të tjetrit, kushdo qoftë, i madh apo i vogël.
Tryeza nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret, përveç ritheksimit edhe njëherë tjetër të pakënaqësive që kanë aleatët e PD dhe PS.
“Ne kishim parashikuar të dalim me një qëndrim të përbashkët që të marrë formën e shkruar. Të pranojmë se bashku format se si mund të hartohet një formulë, pasi ato janë të ndryshme. Ne duhet të jemi të vëmendshëm për të nënshkruar një akt. Kujdes, sepse nuk ka kohë”, replikoi nënkryetari i PR, Arjan Madhi.
Gjatë diskutimeve nuk munguan batuat e Edi Ramës, që shkaktuan debat me përfaqësuesit e Ballit Kombëtar. “Kështu erdhi puna, edhe Balli Kombëtar kërkoi ndihmë nga dy partitë e mëdha. Mirë në kohën e luftës kishit frikë, po tani nga keni frikë? Atëherë hanit pula, ndërsa tani mbetët kështu”, u shpreh Rama.
Top Channel