Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se sistemi i drejtësisë në Kosovë ndodhet në një gjendje të mjeruar, edhe pse kontrollohet vazhdimisht nga faktori ndërkombëtar.

Në një fjalim të mbajtur në kolegjin Universum të Prishtinës, Krasniqi ka shprehur zhgënjimin e tij nga misioni EULEX, që sipas tij ka bërë më shumë propagandë në mbrojtje të ligjit sesa e ka mbrojtur konkretisht atë.

Sipas “RTK”, Krasniqi ka theksuar se prania ndërkombëtare në Kosovë mund të kishte qenë më efikase dhe ka nënvizuar se në shtetin e ri nuk ka ende një sistem drejtësie të reformuar.

“Unë jam i zhgënjyer nga EULEX-i, i cili ka bërë më shumë paradë në mbrojtje të ligjit, sesa e ka mbrojtur atë. Nuk dua që sistemi i drejtësisë të jetë i politizuar dhe që drejtësia të luajë rolin e sulmit nëpër gjueti shtrigash. Sistemi i drejtësisë duhet të funksionojë dhe të gjithë ata që kanë shkelur ligjin të përgjigjen për këtë”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i Parlamentit ka folur gjithashtu për reformën zgjedhore, për të cilën ka vlerësuar se nuk ka vullnet për ta çuar përpara. Ai ka nënvizuar se zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë ishin më të kritikuarat.

“Po përpiqemi të bëjmë një reformë zgjedhore, por duket se nuk ka vullnet për të bërë diçka të mirëfilltë. E meta e zgjedhjeve të fundit përbëhet nga dy segmente: i pari, se Kosova është një zonë zgjedhore edhe pse listat janë të hapura; dhe e dyta, votuesi duhet të votojë më shumë se një herë. Kjo mendoj se vështirëson standartin për të mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme”, ka deklaruar Krasniqi.

Përsa i përket situatës në Kosovë, kryeparlamentari është shprehur se vendi po kalon probleme që i kanë kaluar edhe vende të tjera në vitet e para të krijimit, duke shtuar se përpjekjet për ndërtimin e një shteti demokratik janë të mëdha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA