“Një President konsensual”

22/04/2012 20:00

Përgjatë një jave Top Channel u nis në kërkim të profilit të presidentit të ri. Fillimisht, me intervista në dy organizata jofitmprurëse, Komitetin shqiptar të Helsinkit dhe Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare.

Në Komitetin Shqiptar të Helsinkit, ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Vjollca Meçaj tha se mazhoranca nuk mund të sillet si të dojë me institucionin më të lartë të shtetit, Institucionin e Presidentit të Republikës. Sipas zonjës Mecaj, mbivendosja e partisë mbi shtetin është partitokraci. Ajo vizatoi profilin e një kandidati të dalë nga shoqëria civile.

“Më duket e vështirë që një njeri që vjen nga jeta e gjallë politike dhe që është shumë i evidentuar me forcën e tij politike një ditë të bukur, brenda 24 orëve, vetëm pse u bë Presidenti apo Presidente e Republikës të ndryshojë qëndrimin e vet, performacën e vet”, tha Vjollca Meçaj, Komiteti shqiptar i Helsinkit.

Për Aurela Anastasin, që është njëkohësisht profesoreshë e “Të Drejtës Kushtetuese”, e rëndësishme është arritja e konsensusit, që sipas saj është edhe thelbi i procedurës së parashikuar në Kushtetutë.

“Sepse ajo e paraqet Presidentin e Republikës si një institucion qëndror mjaft të rëndësishëm për ruajtjen e balancës së pushteteve dhe natyrisht si përfaqësues të unitetit të popullit”, Aurela Anastasi.  

Në mes të javës, një rrjet organizatash, përfshi dy organizatat në fjalë, dolën me një komunikatë zyrtare për shtyp, ku kërkonin publikisht përfshirjen e shoqërisë civile në përzgjedhjen e Presidentit të ri.

Në vijim, Top Channel intervistoi 2 juristë që veprojnë në lëmin e gjyqësorit, njëri ish-Prokuror i Përgjithshëm dhe partner në një nga studiot më të mëdha të avokatisë në vend, kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, dhe tjetra gjyqtare në Gjykatën e Tiranës. Si rrallëndonjëherë për profesionistë të tillë, ata nuk hezituan të japin mendimin e tyre për një proces të konsideruar deri më sot si domen ekskluziv i politikës.

Prof.asoc.dr. Maksim Haxhia, Dhoma kombëtare e avokatëve:
“Nuk është ekskluzivitet i opozitës t’i vërë kushte pozitës, por është ekskluzivitet i Shoqërisë Civile, i gjithë shtresave sociale t’i vënë kushte politikës, kushdo qoftë, e majtë, e djathtë, e qendrës, që në atë prerogativë dhe në atë pushtet që i ka dhënë vota të mos abuzojë por të zgjedhi që të materializohet te ajo figurë të gjitha këto cilësi dhe atribute që të mos ketë kontestim, e para, por mbi të gjitha që është kryesorja, që të luajë atë funksion t’i sigurojë këtij populli drejtimin dhe njëkohosisht të jetë një figurë që të krijojë unitetin”.
 
Më pas, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, që ndryshe nga simotrat e saj ballkanike, ka preferuar t’i qëndrojë larg politikës, dy akademikë të nderuar dolën nga rezerva e tyre për të shpalosur pa ndrojë vizionin e tyre:

Prof.dr.Floresha Dado, Akademike:

“Nuk ka të drejtë për mua, asnjë parti, kushdo qoftë, ta nxjerrë nga veprimtarët e vet presidentin. Eshtë jashtë logjikës. Në një farë mënyre, po të shohim hollë-hollë, me pretendimet që ne dëgjojmë sot, cënohet thelbi i kushtetutës, cënohet thelbi i presidentit si institucion”.  

Prof.dr.Jorgo Bulo:

“Edhe me ndryshimet kushtetuese, Kushtetuta nënkupton një proces kompromisi, konsensusi, përderisa raundet e para kërkojnë një shumicë të cilësuar, pra një shumicë përtej shumicës së sotme aktuale”.

Në fund analistët e shtypit, më të pranishëm në media me komentet e tyre, nuk hezituan të artikulojnë edhe emra të përvecëm. Fillimisht Remzi Lani tha se do të preferonte për president një politikan në fund të karrierës, duke përjashtuar kështu de facto kandidaturën e Jozefina Topallit, por jo kandidaturën e vetshpallur të Fatos Nanos:

Remzi Lani, Instituti Shqiptar i Medias:

“Të paktën nga emrat që janë bërë publikë, në fund të karrierës”.

TCH: Është ai i Fatos Nanos?

Remzi Lani: Po sigurisht, nuk përjashtohet

TCH: Ju nuk e përjashtoni pra atë si mundësi?

Remzi Lani: Jo, sigurisht që nuk e përjashtoj, absolutisht që jo

Në të njëjtën gjatësi vale ishte edhe Andi Bushati. Por, ndoshta në mënyrë paradoksale, Andi Bushati nuk e përjashtoi kandidaturën e Jozefina Topallit. Por jo se për të zonja Topalli është në fund të karrierës politike, por sepse mes ideales dhe reales, Andi Bushati mendon se do të mbizotërojë realja. Pra, vullneti i mazhorancës për ta zgjedhur ajo presidentin. Në këtë logjikë, Andi Bushati u tregua mjaft i ashpër me opozitën:

Andi Bushati, Drejtues i emisionit “Zonë e Ndaluar”:

“E vetmja forcë që nuk ka të drejtën morale ta kërkojë një president konsensual, është opozita shqiptare”,  

Në fund të këtij cikli intervistash, dolën qartë disa emërues të përbashkët: E para, presidenti i ri u intereson të gjithë qytetarëve dhe nuk mund të jetë domen ekskluzivitet i politikës.

E dyta, maxhoranca rrjedhimisht nuk duhet të bëjë me kokë të vet, por të pranojë një president konsensual.

E treta, të tërë aktorët e shoqërisë civile, organizatat jofitmprurëse, grupet e interesit, akademikët, janë gati të ndihmojnë për këtë konsensus, duke ofruar emra të përvecëm.

Dhe e katërta, në këndvështrimin e të gjithëve, sfidat e presidentit të ri do të jenë gjyqësori dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese. Një president politik i zgjedhur vetëm nga mazhoranca, do të hidhte një hije të fortë dyshimi se do të mund t’i përballonte me sukses këto sfida.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA