Real thyen tabunë, fiton në “Camp Nou”

21/04/2012 21:50

Reali i Madridit thyen tabunë “Camp Nou”, mposht Barcelonën dhe vendos njërën dorë tek titulli kampion i Primera Division.

Madrilenët fituan 2-1 përballë Barcelonës në fushën e këtyre të fundit. Khedira shënoi në minutën e 17 të takimit duke përfituar nga çoroditja e portierit Valdes dhe mbrojtjes katalanase. Pas këtij moment, Barcelona vihet në kërkim të golit, duke tentuar të çajë në qendër me pasa të shpejta e topa të shkurtër mbrojtjen e Realit.

Në një rast të tillë, Xavi u vendos në një pozicion të volitshëm përballë Casillas, por goditja e tij ishte e pasaktë. Pjesa e parë mbyllet me fitoren e Mourinho-s në duelin me Guardiola-n.

Fraksioni i dytë, nis me Barcelonën në kërkim të golit të barazimit, ndërsa Reali mbrohet mirë e mundohet të shfrytëzoje kundërsulmet me shpejtësinë e Ronaldos. Pas 25 minutave lojë nga rifillimi i takimit dhe disa rasteve të humbura për vendasit, Alexis Sanchez gjen rrjetën duke barazpeshuar gjithcka.
“Camp Nou” është në delir. Por vetëm 3 minuta më vonë, kur vendasit nuk kishin përfunduar ende gëzimin e golit të barazimit, Real gjen golin e dytë. Një magji e Ozil nxjerr vetëm për vetëm me portierin Victor Valdes Ronaldo-n. Portugezi lëviz në të djathtë duke eleminuar edhe daljen e portierit katalanas, e më pas realizon…atë që ka kërkuar me ngulm; GOLIN…shënon dhe bën “Camp Nou” të heshtë.

Në minutat e mbetura, Barcelona u përpoq të barazpeshonte sërish rezultatin, por skuadra merengues mbrohet mirë, e përvec kësaj, rrezikon të shënojë edhe golin e tretë me kundërzbritjet e shpejta. Pavarësisht rasteve të të dyja skuadrave, ndeshja përfundon me fitoren e Realit.

Pas kësaj fitoreje, Real ngjitet në kuotën e 88 pikëve, +7 nga Barcelona kur duhen dhe 4 ndeshje nga përfundimi i La Liga-s.

Tashmë për Realin titulli kampion në Spanjë është thuajse i arkivuar, ndërkohë që dy skuadrat janë ende në luftë për Ligën e Kampioneve.Në mesjavë do të luajë Barcelona kundër Celsit dhe Real kundër Bajernit të Mynihut. Katalanasit duhet të përmbysin rezultatin 1-0 të Londrës, ndërsa madrilenët 2-1 të Mynihut, që të arrijnë finale.

Top Channel