Fatos Nano mundet të ketë dalë pa një premtim konkret nga takimi i të premtes me liderin e LSI-së Ilir Meta, por të shtunën ka marrë mbështetjen e parë në rrugëtimin e nisur drejt Presidencës. Në një intervistë telefonike kreu PDNJ-së, Vangjel Dule ka shprehur haptas vijimin e mbështetjes së kandidaturës së Nanos.
“Në vetvete nisma e zotit Nano vjen për të plotësuar një vakuum që ekziston në politikën tonë. Vjen për të plotësuar vakuumin që ekziston në politikën tonë. Zoti Nano vjen për të plotësuar vakuumin e dialogut institucional. Zoti Nano me nismën e tij, nis një process, një precedent i ri dhe pozitiv ky në jetën politike të vendit, në një kohë që politika zyrtare duhet ta kishte nisur dhe institucionalizuar atë shumë kohë më parë. Pra zoti Nano na ofron një mundësi dialogu. Me zotin Nano kemi një takim për të diskutuar javën që vjen rreth kandidatrurës dhe procesit të hapur. Besoj se nuk ka arsye përse PBDNJ, që ja ka dhënë besimin nëpërmjet firmës së kandidaturës të zotit Nano në 2007, ta refuzojë në 2012-ën. Por të gjitha këto do të jenë objekt i takimit javës që vjen. Personalisht do ta vlerësoja si kandidaturën më dinjitoze dhe me shumë shanse, por nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se procesi i zgjedhjes së presidentit do të jetë shumë i komplikuar dhe shumë i tensionuar pasi do të luhet deri në momentin e fundit dhe as nuk përjashtojmë surprizat”, thotë kreu PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Për momentin Partia Socialiste zyrtarisht nuk e ka ende një qendrim lidhur me kandidimin e zotit Nanon, por brenda opozitës nuk kanë munguar zërat pro dhe kundra tij, nisur sidomos nga qendrimet e ish-liderit socialist për dy ngjarje të rëndësishme politike të vitit të kaluar, 21 janarin dhe zgjedhjet e 8 majit.
Një nga ata që shprehet pozitivisht për kandidaturën e zotit Nano është deputeti Andis Harasani, i cili thotë se me këtë hap Fatos Nano sjell një dimension të ri në politikën shqiptare, duke vënë në dispozicion kapacitetet e tij, të njohura tashmë edhe për të pasur një politikë të kuptueshme, më pranë njerëzve dhe më pak konfliktuale.
“Mendoj se për sa kohë Partia Socialiste nuk i ka numrat e mjaftueshëm në parlament për të zgjedhur, për të vendosur presidentin, mendoj që gjeja më e mirë që ne mund të bëjmë është që të mbështesim një kandidaturë e cila vjen nga Partia Socialiste, i cili është ish-kryetar i PS, reformatori i PS, zotin Nano. Sigurisht që ka ende kohë, duhet të ketë bisedime të zotit Nano me kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Rama dhe kryesinë e PS. Besoj dhe do e mbështes sepse mendoj se është më e mira, jo thjesht për Fatos Nanon, por është më e mira për institucionin e presidentit që në atë karrige të ulet zoti Nano”, deklaron Harasani.
Intervista e së enjtes për Sokol Ballën në Top-Story e Fatos Nanos vecanërisht momenti kur ai duke përdorur një qendrim të butë për 21 Janarin, e cilësuar nga analisti Skënder Minxhozi si “gjuhë e ngjashme me atë të një socialdemokrati skandinav”, ka prodhuar pakënaqësi në gjirin e së majtës. Depueti Erjon Braçe përmes një komenti në faqen e tij në Facebook shkruan:
“Në 21 Janar janë vrarë 4 opozitarë dhe plagosur të paktën 10 kundërshtarë politikë të regjimit! Kjo është çështje lirie. Liria për jetën është e para! Ti nuk vrave kërkend në 14 shtator dhe nuk të sulmuan kundërshtarët politikë, vetëm. Të sulmoi një grup banditësh të armatosur me automatikë! Përse ti nuk vrave në 14 shtator? Nuk duhet që politika të bjerrë vlerat, nuk duhet që ambiciet të deformojnë bindjet”, shkruan Braçe.
Ndërkaq, edhe brenda mazhorancës Nano ka mbledhur qendrime të ndryshme. Kryetari i Grupit Kuvendor të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, një zë zyrtar ky që e cilësoi Nanon një “film të parë tashmë”, duke shprehur kështu një qendrim kundër ish-liderit socialist. Ndërsa, Selami Xhepa në një prononcim në shtyp e vlerësoi Nanon si figurë shtetërore, pavarësisht kundërshtive politike që Partia Demokratike ka patur gjatë kohës së qeverisjes së tij.
Top Channel