Orkestra Simfonike e Çikagos kthehet në Rusi pas 21 vjetësh, në drejtimin e dirigjentit të famshëm italian, 70-vjeçarit Ricardo Muti.
Pavarësisht shkëmbimit kulturor, në zemër të kësaj performance është vizioni i presidentit amerikan, Barack Obama për të forcuar marrëdhëniet mes dy ish-armiqve të luftës së ftohtë.
Orkestra 121 vjeçare vjen nga Çikago, në përpjekje për të treguar anën tjetër të Shteteve të Bashkuara.
Tingujt e orkestrës simfonike nisën aty ku ndalën në vitin 1990, me muzikën e të famshmit Shostakoviç, një prej kompozitorëve më të mëdhenj rus të shekullit të 20-të, por edhe pjesë nga kompozitori i lindur në Bjellorusi, Demitrij Smirnov, apo të italianit Nino Rota.
Dirigjenti Ricardo Muti, që drejtoi orkestrën e La Scala-s për 19 vjet, iu bashkua asaj të Çikagos në vitin 2010. Sipas tij, muzika është një mundësi për të tejkaluar politikën.
Orkestra me 180 muzikantë interpretoi në Konservatorin e Moskës më 18 dhe 19 prill, ndërsa të shtunën do të luajë në Shën Pjetërburg. Festivali i Stinëve Amerikane është pjesë e një shkëmbimi kulturor mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Top Channel