Jack Nicholson mbush 75 vjeç

20/04/2012 00:00

Aktori veteran i Hollivudit, Jack Nicholson feston këtë 22 Prill 75-vjetorin e tij të lindjes. Tre herë fitues i çmimit OSCAR, Nicholson është ndër ata aktorë që 50 vite të karrierës së tij i ka kaluar në sheshxhirimin e filmave hollivudianë, ndër produksionet më të rëndësishme të gjigandit të kinemasë botërore.

Në karrierën e tij, Nicholson është nominuar 12 herë për çmim OSCAR dhe ka mundur ta çojë në shtëpi këtë trofe 3 herë, dy herë ka mundur të rrëmbejë trofeun e aktorit më të mirë për protagonizmin e tij në filmat “One Flew Over the Cuckoo’s Nest” dhe “As Good as It Gets” dhe një tjetër trofe e ka fituar si aktori dytësor për protagonizmin në “Terms of Endearment.”

Ndër rolet me të cilat personifikohet Jack Nicholson janë ai i Jack Torrance në filmin “The Shining,” dhe The Joker i vitit 1989 në filmin “Batman.”

Jashtë famës së tij në kinema ku është padyshim një aktor i cili ka lënë e vijon të lerë gjurmë, Nicholson njihet ndryshe edhe si “playboy” i Hollivudit, pasi gjatë jetës së tij, ai ka pasur raporte të shpeshta me dhjetra modele.

Raporti që ka zgjatur më shumë në jetën e tij është ai me Angelica Houston me të cilën është shoqëruar në vitet e arta të karrierës, në fund të viteve ’70-të dhe në fillim të viteve ’80-të.

Aktori Jack Nicholson është gjithashtu edhe një tifoz legjendar i “Los Angeles Lakers” dhe prej vitit 1970 ai është posedues i biletave të ndeshjeve të këtij ekipi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA