Petrit Plloçi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese që prej vitit 2001, dha mëngjesin e së premtes dorëheqjen e tij.
Burime pranë kësaj gjykate kanë pohuar për “Top-Channel” se zoti Plloçi i ka dorëzuar kryetarit të gjykatës, Bashkim Dedja, letrën e dorëheqjes rreth orës 10.00 të mëngjesit.
Ndërkohë, një kopje të kësaj letre e ka dorëzuar për dijeni edhe në Presidencë. Me këtë dorëheqje zoti Plloçi kërkon të protestojë publikisht për zgjatjen e paarsyeshme dhe antikushtetuese, sipas tij, të mandatit të tij si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Mandati 9-vjeçar i zotit Plloçi ka mbaruar më shumë se një vit e gjysmë më parë. Ndërkohë që vetëm përpara pak ditësh, Gjykata Kushtetuese me një vendim 6 me 3 rrëzoi kërkesën e Presidentit të Republikës që e konsideronte antikushtetuese bllokimin e tre dekreteve nga Parlamenti.
Mazhoranca ka argumentuar se për të respektuar rotacionin e anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, emërimet e reja duhet të bëhen në vitin 2013. Zoti Plloçi është një nga 3 anëtarët në pakicë që kanë dalë kundër këtij vendimi.
Në tekstin e dorëheqjesë së tij, zoti Plloçi argumenton se anëtari i Gjykatës Kushtetuese mund të qëndrojë në detyrë deri në zëvendësimin e tij. Por, mandati nuk mund të zgjatet kaq shumë dhe në mënyrë kaq substanciale.
Sipas tij, kjo bie ndesh me vetë kushtetutën që e parashikon mandatin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese 9 vjeçar. Pas kësaj dorëheqje, Gjykata Kushtetuese gjendet në një moment të vështirë.
Gjykata do të shpallë vendin bosh dhe Presidenti dhe Kuvendi do të ndërmarrin procedurën për emërimin e anëtarit të ri. Çështja është se Presidenti i ka dekretuar tre emra, të cilët Kuvendi nuk pranoi t’i shqyrtojë dhe çështja shkoi në Gjykatë Kushtetuese.
Duke hedhur poshtë kërkesën e Presidentit, pyetja që shtrohet është nëse procedura e inicuar nga presidenti për dekretimin e 3 anëtarëve të rinj zerohet dhe duhet të fillojë nga e para apo këta 3 emra qëndrojnë pezull deri në vitin 2013.
Nëse procedura zerohet dhe fillon nga e para, çfarë mandati do të ketë anëtari i ri që do të zëvendësojë zotin Plloçi, 9-vjeçar apo vetëm 1-vjeçar, deri në vitin 2013, kur Gjykata Kushtetuese ka thënë se duhen rinovuar anëtarët e saj? Ky mishmash ligjor ka megjithatë një element të vërtetë: e mbetur me 8 anëtarë, Gjykata Kushtetuese e ka të vështirë të marrë vendime në vijim.
Top Channel