Analistët: Presidenti? Më mirë jo politik

20/04/2012 19:55

Prej vitesh Remzi Lani është tërhequr në Institutin Shqiptar të Medias, duke trajnuar gazetarë të rinj apo duke studiuar shtypin shqiptar.

Por, si kryeredaktori i fundit i “Zërit të Rinisë”, Remzi Lani publikoi në mars të vitit ‘90 të parën intervistë të guximshme kundër regjimit, atë të Ismail Kadaresë, që u pasua pastaj nga intervista e Sali Berishës te “Drita”, apo shkrimi i Ylli Popës te “Zëri i Popullit”.

I respektuar nga të dy krahët e politikës, Remzi Lani mbetet sotpërsot një nga analistët më të ftohtë të shtypit shqiptar. Për zgjedhjen e presidentit të ri, ai ka këtë mendim.

“Unë mendoj se nuk ka një mënyrë që presidenti të mos zgjidhet në rrugë kushtetuese. Marrëveshja për ta zgjedhur presidentin me 71 vota është një marrëveshje jo për të shmangur konsensusin, por të shmangur krizën. Dhe ajo që Kushtetuta parashikon si zgjidhjen e fundit, nuk duhet ta paraqesim si zgjidhjen e parë dhe madje si zgjidhjen e vetme. Unë nuk e di se cili do të ishte varianti më i mirë, por di se cili do të ishte varianti më i keq: të zgjidhet një njeri nga forumet drejtuese të partisë në pushtet. Në një shoqëri të ndarë politikisht si e jona, ku zgjedhjet dalin për disa herë më radhë barazim, ky do të ishte mesazhi më i gabuar që shumica do t’i çonte publikut”, deklaron Lani.

Në këtë mënyrë, Remzi Lani përjashton emrin e Jozefina Topallit, por jo atë një aspiranti tjetër. Duke përvijuar profilin e presidentit të ri, që sipas tij mund të jetë ose një aktor i shoqërisë civile, ose një politikan në fund të kërrierës, zoti Lani bën këtë pohim për Top Channel:

TCH: A i vini një emër të përveçëm?

Lani: Jo, nuk do të kisha emra të përveçëm. Por eksperienca e deritanishme ka treguar se presidenti që nuk ka ardhur nga politika aktive, ka qenë një president më serioz.

TCH: Por ju nuk e përjashtoni mundësinë e një politikani në fund të karrierës dhe të paktën nga emrat që janë bërë publikë, në fund të karrierës është ai i Fatos Nanos?

Lani:
Po sigurisht, nuk përjashtohet.

TCH: Ju nuk e përjashtoni pra atë si mundësi?

Lani: Jo, sigurisht që nuk e përjashtoj. Absolutisht jo.

Kolegu Andi Bushati, që drejton te Vizion Plus emisionin “Zonë e Lirë”, ka të njëjtin mendim sa i takon një presidenti politik.

“Në teorinë timë për të patur një president politik, ka vetëm një kusht: që do të ishte mirë që presidenti “politik” të jetë një president në fund të karrierës së tij politike, në mënyrë që postin e tij mos ta shfrytëzojë si trampolinë për ambicjet e tij politike të mëpasme”, thotë Bushati.

Por nëse ky president politik duhet të ishte apo jo fryt i kompromisit, Andi Bushati tregohet i ashpër me opozitën.

“Në kushte ideale do të ishte mirë që të ishte fryt i konsensusit politik. Pra, në qoftë se një pjesë e mirë e shoqërisë shqiptare do të ishin për një president konsensual, nëse zëra të pavarur apo jashtë politikës, do ta uronin një gjë të tillë, e vetmja forcë që nuk ka të drejtën morale ta kërkojë një gjë tillë sot, është opozita shqiptare”, nënvizon Bushati.

Në një rast të tillë, thotë ai, të vjen në mend vetëm një emër, Jozefina Topalli.

“Pse? Sepse janë vendosur disa kritere nga mazhoranca, që do të jetë një figurë qendrore, do të jetë brenda PD, kemi një preçedent të 4 viteve më parë, kur mazhoranca ia dha nënkryetarit të partisë së saj më të madhe postin e presidentit, dhe me të njëjtat kritere ka të gjitha të drejtat e botës ta kërkojë këtë post, edhe Jozefina Topalli, e cila është e legjitimuar brenda PD-së, nuk e di sa është e legjitimuar brenda publikut”, shton Bushati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA