Alfred Trebicka, regjisor i komedisë dramatike “Fqinjët”, ishte i ftuar në studion e emisionit ‘Pasdite në Top Channel’ ku foli për veprën e tij më të fundit.
“Pjesa teatrale është e bazuar në rrethanat e reja në marrëdhëniet shqiptare-greke pas viteve ’90. Kjo komedi merr përsipër të përcjellë energji pozitive dhe nuk merret me ksenofobinë apo me fenomenet negative të fqinjësisë sonë, por me gjërat pozitive”, thekson Trebicka duke shtuar se fenomenet pozitive janë ato që kërkohen në ditët e sotme për një bashkëjetesë shumë të mirë.
“Bashkëjetesa mes fqinjëve kërkon energji pozitive”, nënvizoi regjizori.
“Ngjarjet zhvillohen në vitet ‘95-’96, në fermën e një greku që ka punësuar shqiptarë dhe aty lind një flirt mes djalit të pronarit grek dhe motrës së argatit shqiptar të punësuar në fermë. Motra e argatit është nga ata persona që u ambjenua shumë shpejt në Greqi dhe herë pas here viziton vëllain e saj. Aty lind dashuria dhe lidhja zbulohet. Nisin sherret, por më pas ka një kthesë”, shpjegon Trebicka.
Në fund, regjisori I veprës jep arsyet se pse publiku duhet ta ndjekë komedinë “Fqinjët”: “Aktorët janë të rinj dhe impakti që ka pasur vepra deri më sot ka qenë i mirë. Publiku ka qeshur shumë dhe ka qarë shumë.”
Komedia “Fqinjët” do të shfaqet në Teatrin Kombëtar të Komedisë të shtunën dhe të dielën, në orën 20.00.
Top Channel