Në seancën parlamentare të së enjtes, kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi ka folur për seancën e kaluar ku u votua anëtari i ri i KLD-së.
Gjatë fjalës së tij, Ruçi ka akuzuar mazhorancën se me anë të pushtetit të saj imponoi votimin e kandidaturës që kishte zgjedhur.
“Zgjidhja e vetme që keni gjetur ju është pushteti, që ju ka bërë të pandëshkueshëm. Ju mjafton të keni një votë më shumë për të votuar njeriun tuaj në këtë institucion. Berisha përcakton mënyrat e votimit në Kuvend dhe shkel mënyrat kushtetuese”, ka deklaruar Ruçi.
Ai ka theksuar se votimi i së entjes së kaluar nuk u bë në mënyrë të fshehtë, pasi sipas tij mazhoranca kishte frikë se mos humbiste mbështetjen e deputetëve të saj.
“A ishte votimi i së enjtes i fshehtë? Jo. Votimi i fshehtë iu mohua deputetëve, të majtë e të djathtë. Por më keq, ju kërkuat të kontrollonit votën e çdo deputeti. Ky është turp për kryeministrin dhe për ju si kryetare Parlamenti, që s’keni besim tek deputetët dhe aleatët tuaj”, ka theksuar Ruçi.
“Ju keni zhbërë rregullat e Parlamentit dhe keni kërcënuar deputetët e këtij institucioni. Kërcënimet janë bërë në një kohë kur vendi është anëtar i NATO-s”, ka vijuar ai.
Ruçi ka paralajmëruar se opozita nuk do lejojë asnjë votim, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit, nëse nuk kthehet votimi i lirë dhe i fshehtë në Kuvend.
Më tej shefi i socialistëve ka akuzuar qeverinë se me votimin e seancës së kaluar përsëriti ushtrimin e pushtetit të saj, njësoj si për vrasjet në protestat e 21 janarit.
“Është përdorimi i pushtetit, njësoj si ai që vrau katër persona më 21 janar. Duhen urdhëruesit e të shtënave nën akuzë, jo vetëm gardistët që qëlluan”, ka shtuar Ruçi.
Akuzave të tij i është përgjigjur kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, i cili i ka cilësuar deklaratat e homologut socialist si trauma të pësuara pas humbjeve të vazhdueshme të opozitës.
“Në rrafshin politik PS regjistroi një dështim më shumë në Kuvend. Por, edhe në rrafshin etik, PS i shtoi CV-së së vetë të pasur një tjetër fazë të shëmtuar, përpjekjet për bllokimin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, për zgjedhjen e një prej të emëruarve të saj”, ka deklaruar Patozi.
Shefi i demokratëve është shprehur se qëndrimet e PS në seancat e kaluara janë orkestruar për një qëllim të vetëm, rrëzimin në mënyrë ilegale të qeverisë.
“Opozita duhet të dijë që jo gjithmonë mund ta rrëzojë qeverinë, por për këtë ka mënyra të posaçme. Unë ftoj opozitën që të përdorë mocionin e besimit për ta rrëzuar qeverinë. Po patët këllqe, bëjeni që nesër”, ka theksuar Patozi.
Më tej, duke folur për seancën e kaluar kur u zgjodh anëtari i ri i KLD-së, Patozi ka nënvizuar se mazhoranca respektoi rregulloren e Kuvendit.
“Ne çaktivizuam përpjekjen tuaj të dhunshme për të vonuar një proçedurë normale votimi. Grupi parlamentar i opozitës jo vetëm që tentoi të pengonte kryeministrin të votonte, por mori edhe fletët e votimit”, ka thënë Patozi.
Deklarata të ngjashme me ato të Patozit ka bërë edhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila ka thënë se Partia Socialiste ka frikë nga humbja dhe paralajmëron pengimin e proçeseve të votimit.
Top Channel