Guardiola: Chelsea është favorit tashmë

19/04/2012 12:20

“E dija që do ishte e vështirë të krijonim raste, por i krijuam. Problemi është se nuk është e lehtë të sulmosh kur 10 lojtarë të ekipit kundërshtar mbyllen në zonën e tyre.”

Kështu u shpreh Pep Guardiola, tekniku i Barcelonës, pas ndeshjes Chelsea-Barcelona, e vlefshme për gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Katalanasit u mundën me rezultatin 1-0 në Stamford Bridge edhe pse dominuan takimin.

I pyetur për lojën ultradifensive të londinezëve, trajneri katalanas theksoi: “Unë nuk jam trajner i Chelsea. Cdo ekip luan siç e sheh më të arsyeshme, ndërsa ne duhet të krijojmë sa më shumë raste në ndeshje të tilla. Unë nuk mund t’i them të tjerëve si të luajnë. Të gjithë e panë që ne kishim më shumë raste, por tani janë ata favoritët për të kaluar në finale.”

Më tej tekniku shtoi: “Në sport mbahen mend fituesit. Fituesi nuk gjykohet dhe nuk mund të gjykohet as Chelsea sot. Sido që të shkojë ky sezon, edhe nëse nuk fitojmë asnjë trofe, mendoj se ka qenë një sezon i suksesshëm për ne. Nuk është çështja për të diskutuar rezultatin nëse është i drejtë apo jo. Po të ishte për zotërim loje, Barcelona do i fitonte të gjitha ndeshjet, por në futboll kanë rëndësi golat.”

Top Channel