Rama: Berisha, kush është mafia?

18/04/2012 00:00

Kreu i opozites Edi Rama i ben thirrje kryeministrit Sali Berisha të
heqë barrierën korruptive, sipas tij, dhe t’i hape rruge ndërtimit të
linjës së interkonjeksionit me Kosovën.

Rama iu drejtua Berisha per te mesuar se cila eshte mafia kur flet presion ne lidhje me tenderin, eshte banka gjermane, apo vete qeveria e tij

“Kryeministri foli për klithëm të mafies, duke akuzuar “de fakto” si zëdhënës të mafies Bankën e madhe KFë, që përfaqëson interesat e donatorit të fuqishëm dhe bujar të Shqipërisë, Gjermaninë, gazetën kosovare “Zëri”, që ka publikuar fakte të bazuara në dokumentet e korrespondencës zyrtare mes bankës gjermane dhe qeverisë shqiptare, e natyrisht dhe opozitën që ka ngritur me forcë zërin për cenim të interesit kombëtar e publik të Shqipërisë e të Kosovës, si edhe të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës”, tha Rama.

Më tej kreu socialist u shpreh: “Nuk e di nëse tek mafia ai fut edhe partinë e koalicionit të tij, që përmes ministrit të saj ka mbajtur qëndrim të kundërt me kryeministrin, por kjo është një çështje u takon ta zgjidhin me njëri tjetrin se kush është me mafien e kush është me interesin kombëtar e publik në këtë rast. Kryeministrit foli për çmimin e ofertës së kompanisë fituese dhe pretendoi se ne, opozita, mbrokemi ofertën me çmimin më të lartë. Ndërkohë që, e vërteta është se ne mbrojmë pikëpamjen se bllokimi i këtij projekti është haptazi kundër interesit kombëtar e publik, duke e bazuar kundërshtinë tonë ndaj pretendimit të tij për ofertën me çmimin më të lartë tek qëndrimi teknikisht shumë korrekt i bankës gjermane, e cila shumë qartësisht ka përcaktuar kritere të bazuara në radhë të parë tek vlerësimi teknik i ofertës e vetëm pastaj tek çmimi”.

Reagon Partia Demokratike

Partia Demokratike reagoi pas deklaratës për media të kreut të PS-së, Edi Rama. Nëpërmjet zëdhënses, Selia Blu mbrojti tenderin duke thënë se ai është mbajtur në përputhje me ligjet e vendit.

“Përsëri zoti Rama sot derdhi lot para mediave se përse OST në tenderin për ndërtimin e linjave të interkonjeksionit Tiranë-Prishtinë nuk shpalli fituese firmën që kërkoi 36 milion euro për ndërtimin e saj, por shpalli një tjetër që kërkoi 27 milion euro, apo 30 përqind më pak se e para me 10 milion dollarë nga borxhi i taksapaguesve shqiptarë. Edhe njëherë sqarojmë zotin Rama se ligjet e vendit nuk lejojnë shpalljen fituese të një kompanie me ofertë mbi 10 mln dollarë më shumë se kompania tjetër”, deklaroi zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi.

Rama: Jo kursim në dëm të cilësisë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka komentuar nëpërmjet rrjetit social Twitter argumentin e përdorur nga kryeministri Sali Berisha për vonesat e ndërtimit të linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kryeministri deklaroi se diferenca prej 10 milion dollarësh më shumë mes ofertës së kompanisë kroate të mbështetur edhe nga Banka Gjermane KFW dhe kompanisë tjetër boshnjake pjesëmarrëse në tender bëri që të vlerësohet oferta e kësaj të fundit për shkak të kostos më të ulët.

Megjithatë, KFW rrëzoi pretendimin e qeverisë. Banka gjermane pranoi që oferta boshnjake ishte më e ulët, por tha se kjo bëhej në dëm të kushteve teknike.

Pikërisht për këtë, ka komentuar edhe lideri socialist në Tëitter.

“Shpifja e pasdrekës:Ramës i janë prishur planet nga bllokimi i linjës 400kv! Fakti është se plani i është prishur kombit tonë nga korrupsioni!, shkruan Rama. Saliu thotë dua të kursej 10 milion USD! Le t’i kursejë me projektin megallomaniak të fantazmës së parlamentit të ri,jo me interesin kombëtar!”, shkruan ndër të tjera kryesocialisti.

Më tej Rama vlerëson se teoria e kursimit në dëm të cilësisë sot është një pagesë 100fish mot.

“Nuk e ha njeri teorinë e kursimit nga kryeministri që s’po kursen male, kodra, lumenj, bregdet me babëzinë e me injorancën e qeverisë së vet! Kryeministri kursimtar, që dhe detin e fali me një firmë, duhet ta dijë se të kursesh në dëm të cilësisë sot do të thotë të paguash 100fish mot. Mirëpo Saliu s’ka fare gajle ç’do paguajnë shqiptarët për interesat e tij sot. Kjo është thjesht vazhdë e rrënimit të mëtejshëm”, përfundon Rama.

Top Channel