“Kostot”, Berisha me dy qendrime

18/04/2012 00:00

Kryeministri Berisha mbrojti shpalljen fitues të tenderit për ndërtimin e linjës se interkonjeksionit  të kompanisë që është e dyta në listë, pasi ka dhënë çmimin më të ulët. Por, po vetë Berisha ishte ai që duke iu referuar ofertave për ndërtimin e parlamentit të ri, preferoi ofertën më të shtrenjtë, pasi ofronte më shumë garanci dhe cilësi.

13 Mars 2012, Kryeministri Sali Berisha (në Komitetin Shtetëror për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar): Do t’u bëj një pyetje. Nëse juria do të kishte zgjedhur një projekt që do kushtonte edhe 5 apo 10 milion euro më shumë se ky, projekti i zbatimit do të dilte i barabartë me këtë. Përderisa në thelb ne vendosim pa asnjë arsye tjetër përvecse një vlerë të caktuar financiare që në rastin konkret cdo qindrakë është e dhimbshme, por nuk është kaq…për ndërtesën e parë të kombit, për ndërtesën e parë të Shqipërisë, nuk është një vlerë kjo që duhet të detyrojë këtë Komitet që për një diferencë të tillë, të marrë funksionet e tyre. Kjo e qytetëruar nuk është!

17 Prill 2012, Kryeministri Sali Berisha: Oferta për të cilën pretendon Edi Rama, është 30 përqind më e shtrenjtë se oferta për të cilën drejtuesi i OST-së mendon se duhet të fitojë. Ministria e Financave ka informuar sot shqiptarët se nuk ka pranuar dhe nuk pranon një borxh prej 10 mln dollarë më shumë mbi shpatullat e shqiptarëve.

Këto janë dy qendrime diametralisht të kundërta të kryeministrit Berisha që megjithëse nuk flitet për të njëjta projekte përzgjedhja e tyre duhet të bëhej mbi të njëjtat kritere ligjore.

13 Mars 2012, Berisha: Në rastin konkret cdo qindrakë është e dhimbshme, por nuk është kaq…për ndërtesën e parë të kombit, për ndërtesën e parë të Shqipërisë, nuk është një vlerë kjo që duhet të detyrojë këtë Komitet që për një diferencë të tillë, të marrë funksionet e tyre. Kjo e qytetëruar nuk është!

Në rastin e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar kryeministri zgjedh projektin studios austriake  me kosto më të lartë se studio e dytë.

17 Prill, Berisha: Ministria e Financave ka informuar sot shqiptarët se nuk ka pranuar dhe nuk pranon një borxh prej 10 mln dollarë më shumë mbi shpatullat e shqiptarëve.

Për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit të energjisë Shqipëri – Kosovë, kryeministri vendosi për kompaninë e dytë në garë, atë boshnjake që ka çmimin më të ulët. Kryeministri pretendon se ligji, por dhe Ministria e Financave kërkojnë çmimin më të ulët në bazë të ligjit për prokurimet publike. I njëjti pretendim i Ministrisë së Financave ka qenë edhe në rastin e përzgjedhjes së kompleksit të ri parlamentar, por kryeministri e neglizhoi.

13 Mars, Ministri i Financave, Ridvan Bode: Nëse nuk është për këtë investim detyrimi i kostos më të ulët, atëherë mbetet ajo e ekspertëve. Në përgjithësi ne operojmë me koston më të ulët dhe nuk e operojmë ne, ne nuk jemi komisioni.

Ky qëndrim i dyfishtë i kryeministrit duket i dyshimtë. Për rastin e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar në mediat austriake u fol si fituesi ishte i paracaktuar edhe pse përzgjedhja e studios austriake u bë momentet e fundit kur më parë komiteti shtetëror kishte zgjedhur kompaninë italiane.

Në rastin e ndërtimit të linjës se interkonjeksionit të energjisë me Kosovën mediat kosovare e kanë akuzuar qeverinë shqiptare se po e vonon këtë projekt për interes dhe për lidhje me mafian serbo-boshnjake.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA