Në katin e 9-të të një prej dy kullave binjake në Tiranë, nën vështrimin e Napoleon Bonapartit, themeluesit të sistemit të drejtësisë moderne, ish-Prokurori i pëgjithshëm Maksim Haxhia bashkëdrejton një studio avokatie.
Ai refuzon idenë se avokatët e mëdhenj si ai, janë të çinteresuar për proçeset politike, si ai i përzgjedhjes së presidentit. Zoti Haxhia, që drejton edhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë, thotë se është detyrë e shoqërisë civile që të implikohet në proçesin e përzgjedhje së presidentit.
“Nuk është ekskluzivitet i opozitës t’i vërë kushte pozitës, por është ekskluzivitet i shoqërisë civile, i gjithë shtresave sociale t’i vënë kushte politikës, kushdo qoftë, e majtë, e djathtë, e qendrës, që në atë prerogativë dhe në atë pushtet që i ka dhënë vota të mos abuzojë por të zgjedhë që të materializohet te ajo figurë të gjitha këto cilësi dhe atribute që të mos ketë kontestim, e para, por mbi të gjitha që është kryesorja, që të luajë atë funksion, t’i sigurojë këtij populli drejtimin dhe njëkohosisht të jetë një figurë që të krijojë unitetin”, deklaron Haxhia.
Avokat Haxhia nuk e fsheh se për president do të preferonte një jurist. Pastaj, këtij përcaktimi, i shton edhe disa cilësi si Erudit, i urtë, i vendosur, i përkushtuar, me integritet.
“Do të doja të ishte i urtë si Meidani, i vendosur si Moisiu, elokuent dhe komunikues dhe harmonizues si Nano, i përkushtuar si Sali Berisha dhe dua ta shtoj, që Bamir Topi në të gjithë atë staturën e tij si president ka qenë parësore që ka qenë qytetar. Këto cilësi do të doja t’i shihja te një individ i vetëm”, thekson Haxhia.
Disa metra nga zyra e avokatit, gjyqtarja Manjola Bejleri është një emër i propozuar nga presidenti aktual Bamir Topi për Gjykatën e Lartë, por i refuzuar nga mazhoranca. Në gjykatën e Tiranës, gjyqtarja Bejleri i jep zgjidhje çështjeve me karakter administrativ.
Si rrallë ndonjëherë për ndonjë gjykatës, ajo jep mendimin e saj për një proçes të konsideruar deri tani si domen ekskluziv i politikës.
Duke folur për nevojën e zgjedhjes së një presidenti konsensual, ajo thotë: “Vetë Kushtetuta parashikon që presidenti të zgjidhet me 3/5. Presidenti është një figurë që qëndron mbi palët”.
Të dy, edhe avokati Haxhia edhe gjyqtarja Bejleri mendojnë se sfida e presidentit të ardhshëm do të jetë gjyqësori, ku presidenti është jo vetëm kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por edhe emëron anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.
“Presidenti që do të vijë do të kontrollojë KLD-në, Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Aq më tepër, nëse do të jetë edhe Gjykata Administrative, drejtësia do të jetë sfida e ardhshme”, nënvizon Haxhia.
“Do të jetë detyra e një presidenti të ri, përzgjedhja e një figure tjetër që të luajë një rol në luftën kundër korrupsionit. Nuk do të doja të hyja në arsyet politike, por do të ishte më mirë nëse presidenti do të ishte një figurë konsensuale”, shton Bejleri.
Përveç kësaj, zonja Bejleri e mendon si më të udhës që në të ardhmen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë të zgjidhen nga Parlamenti me shumicë të cilësuar.
Top Channel