Heynckes: E merituam fitoren

18/04/2012 08:40

Trajneri i Bayern Munchen, Jupp Heynckes, deklaroi pas ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve ndaj Real Madrid se ekipi i tij e meritoi fitoren 2-1.

“Mendoj se në përgjithësi e merituam fitoren. Në 15 minutat e para Reali luajti shumë mirë, por më pas morëm kontrollin e lojës dhe mendoj se e zotëruam mirë takimin”, theksoi tekniku gjerman për televizionin ‘Sky’.

Heynckes lavdëroi edhe lojën e Mario Gomez: “Jo vetëm që shënoi golin e fitores, por rekuperoi edhe shumë topa duke ndihmuar ekipin.”

Kur u pyet për ndërhyrjen e rëndë të Marcelos ndaj Thomas Muller në fund të ndeshjes, që u ndëshkua vetëm me një karton të verdhë, trajneri i bavarezëve tha: “Mendoj se Marcelo meritonte kartonin e kuq, por nëse atë ndërhyrje do e kishte bërë një nga lojtarët e mi do të mendoja se kartoni i verdhë ishte i mjaftueshëm.”

Rummenigge: Një ndeshje si kjo meritonte një arbitër më të mirë

Karl Heinz-Rummenigge, presidenti i Bayern Munchen, u shpreh i pakënaqur për gjykimin e ndeshjes nga Howard Webb.

“Ishte një ndeshje shumë emocionuese që meritonte një arbitër më të mirë”, theksoi ish-futbollisti gjerman.

Kur iu kërkua të thellonte këtë mendim, drejtuesi i klubit bavarez u kufizua vetëm me frazën: “Ka arbitra më të mirë në Europë.”

Top Channel