Dani Alves “nxeh” pragndeshjen Chelsea-Barça

17/04/2012 16:20

“Chelsea nuk arriti në finalen e vitit 2009 sepse pati frikë.” Kështu u shpreh Dani Alves, mbrojtësi i djathtë i Barcelonës, në një intervistë për ‘The Guardian’ duke rritur tensionin e pragndeshjes së nesërme, ku Barcelona do të ndeshet në Londër me Chelsea për gjysmëfinalet e Champions League.

“Ata kishin një lojtar më shumë, luanin në shtëpi dhe ishin duke fituar. Ata duhet të na sulmonin dhe jo tw mbroheshin. Kur qëndron i mbyllur në mbrojtje si Chelsea do të eliminohesh. Humbësit qëndrojnë prapa, fituesit sulmojnë gjithmonë. Për këtë arsye u eliminuan në vitin 2009 dhe jo për faj të arbitrit Ovrebo”, deklaroi futbollisti brazilian.

Alves shtoi: “Ishte një nga ndeshjet më të vështira që kam luajtur me Barcelonën, por fatmirësisht arritëm të barazonim në fund, të kalonim në finale dhe të fitonim Ligën e Kampioneve.”

Në lidhje me polemikat që pasuan gjykimin e ndeshjes nga norvegjezi Ovrebo, i cili nuk akordoi 4 penallti të mundshme për londinezët, Alves tha: “Njerëzit thonë se Barcelona fitoi falë arbitrit, por ky nuk është problemi ynë sepse ne nuk kontrollojmë arbitrat. Ne shkuam për të luajtur futboll dhe kaq.”

Top Channel