Princi trashëgimtar në Holandë, Willem-Alexander, është shndërruar në “VIP”-in e ri, që duke shfrytëzuar rënien e çmimeve të pronave të patundshme si rrjedhojë e krizës greke, ka blerë një vilë në një prej destinacioneve të preferuara turistike të vendit fqinj.
Ditën e hënë, mediat holandeze konfirmuan se Princi ka mbyllur bisedimet për blerjen e pronës, të ndodhur në qytetin e Kranidit, në Peloponez.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe aktori hollivudian, Sean Connery, do të jenë fqinjët e tij.
Për këtë vilë piktoreske, Willem-Alexander i pagoi pronarit të mëparshëm, fotografit gjerman Manfried Rieker, 4,5 milionë euro.
Më parë, Princi kishte lajmëruar planet e tij për ndërtimin e një vile pushimi në Mozambik, por vendosi të hiqte dorë si rrjedhojë e kritikave politike ndaj projektit.
Parlamenti Holandez u shpreh atëherë kundër nismave ndërtimore të Princit në vende të tjera. i pyetur për blerjen e vilës në Peloponez, kryeministri i Holandës, Mark Rutte, refuzoi të përgjigjej duke e vlerësuar çështjen si personale.
Princi i Kurorës, Willem-Alexandër, u njoh për herë të parë me zonën turistike përreth Kranidit kur u ftua në dasmën e Princit të greqisë, Nikalaos me Tatiana Blatnik, në një ceremoni të zhvilluar në një nga ishujt e Peloponezit, Spetses, në vitin 2010.
Top Channel