Pas prezantimit të projektligjit për Arsimin Parauniversitar nga ministri
i Arsimit, Myqerem Tafaj në Komisionin e Arsimit dhe Medias, opozita ka
akuzuar hapur këshilltarin e Kryeministrit për Arsimin, Fatbardh Musai,
për abuzime me tekstet shkollore.

“Këshilltari i Kryeministrit, zoti Fatbardh Musai, përvecse bën tekste, nga e para deri në klasën e 12-të dhe është autor tekstesh dhe është në konflikt të pastër interesi, me pëlqimin tuaj, vërej që keni lënë një syzim edhe për agjencitë private dhe atëherë a mund t’i shpjegoni dot këtij Komisioni, përse ia keni thjeshtuar kaq shumë rrugën këshilltarit të Kryeministrit, i cili ka mëse 6 vjet që ofron trajnime të mësuesve dhe të drejtorëve, ndërkohë që ende nuk është bërë platforma për drejtorin? Ai ka aplikuar për të marrë licensën, e ka marrë atë dhe që do ta shpallni pas dy javëve. Jeni përgjegjës ju dhe gjithë enturazhi juaj, për shkatërrimin e mëtejshëm të arsimit, duke e vënë si leckë të politikës”, tha deputetja socialiste, Ledi Shamku.

Ministri Tafaj nga ana e tij, u shpreh, se ka një rregullore për konfliktin e interesit, që ndiqet me përpikmëri. “Sipas kësaj rregulloreje, të gjithë nëpunësit e Ministrisë dhe të agjencive vartëse, janë të deklaruar për mungesë të konfliktit të interesit. Për këtë çështje ju mund të kërkoni sqarime dhe mund të japim sqarime me shkrim”, tha Tafaj.

Reforma e Altertekstit eshte vene ne shënjestër nga deputetët e opozitës, të cilët kanë pyetur se si është e mundur, që një zëvendësministër dhe një këshilltar i Kryeministrit janë njëkohësisht edhe botuesit e librave shkollorë.

“Pjesa më e madhe e teksteve që sot dominojnë dhe quhen ‘të përzgjedhura’, në shkollat shqipe janë pikërisht tekstet e këtyre njerëzve. Mund ta them fare hapur, njerëz që janë në stafin e afërt të kryetarit të shtetit shqiptar, apo një prej zëvendësve tuaj, që është emëruar tani rishtaz. Eshtë autor i pesë teksteve, është zëvendësministër i Arsimit dhe tekstet e tij, me siguri që do të jenë më precedencë në përzgjedhje, ku menaxhohet rreth 4-5 milionë euro që ka të bëjë prodhimi i teksteve shkollore dhe tani është më shumë për shkak të teksteve alternative, të krijohej mundësia me këtë rast, të fitonin një rrjet të tërë librarish edhe titujt artistikë dhe shkollore, në të gjithë vendin”, tha deputeti socialist, Fatmir Toçi.

Prezantimi i ketij projektligji, i cili eshte konstenstuar ne disa pika nga opozita, nuk ka nje fature financiare, ndaj kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj e cilesoi jo real.

“Juve e dini shumë mirë që një ligj nuk mund të kalojë në Parlament, pa një faturë financiare. Ai ligj që ka një kosto. Unë besoj që nëqoftëse juve nuk jeni sot në gjendje që të jepni një faturë financiare, për këtë projektligj, ky projektligj nuk mund të kalojë në Parlament. Unë zoti ministër do t’ju vë në dispozicion një letër që më ka dërguar një djalë, i cili ka mbaruar arsimin e lartë. Nëqoftëse juve ja lexoni dot emrin, unë sinqerisht do t’ju falenderoja. Ka mbaruar shkollën e lartë, çka do të thotë që kyçi i kësaj reforme do të jetë cilësia. Si do ta përballoni shtesën e arsimit parashkollor, si do ta përballoni shtesën e arsimit të orientuar, që pretendoni, apo si do ta përballoni çështjen e trajnimit, sepse jua thashë më përpara, deri tani buxheti ka shkuar poshtë…Thotë që trajnim pa buxhet është shumë vështirë për t’u bërë. Çështja tjetër, nëqoftëse jeni në gjendje të jepni një përgjigje, ka të bëjë me shmangien e politizimit”, tha Leskaj.

Nenet 55 dhe 60 të këtij projektligji, që parashikojnë emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve të shkollave dhe mësuesve, shkaktuan gjithashtu debate.

“Në fakt në të gjitha procedurat e shkarkimit, drejtori nuk mund ta shkarkojë mësuesin, pa marrë pëlqimin e Komisionit. Dhe ligji e shkruan këtë. Duhet të marrë pëlqimin e Komisionit dhe shkarkimi i mësuesit bëhet sipas këtij ligji. Ky është një status, i cili është krejtësisht i ngjashëm me statusin e nënpunësit civil”, tha Tafaj.

Diskutimet mbi kete projektiligj do te viojne gjate diteve te ardhshme edhe me propozimin e amendimeve nga shoqeria civile dhe sindikatat.

Top Channel