
Në muajin maj do realizohet prova e vënies në punë e hidrocentralit të ri të Ashtës në Shkodër. Sot ka nisur çarja e argjinaturës së ndërtuar në vitin 1970 nga specialistët kinezë.
Ujërat do shkojnë drejt hidocentralit e më pas do rikthehen në lumë. Hapi i parë i vendosjes në punë të këtij hidrocentrali ishte kalimi i ujit në çentralin elektrik e më pas do nisë të vihen në funksion turbinat.
Hidrocentrali i Ashtës është i ndarë në dy pjesë, Ashta 1 dhe Ashta 2. Ai është hidrocentrali i katërt dhe i fundit pas Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës që janë ndërtuar mbi rrjedhën e lumit Drin.
Hidrocentrali është një investim prej rreth 200 milonë eurosh i dy kompanive austriake. Ky investim ka nisur në vitin 2010 dhe do përfundojë në vitin 2012.
Hidrocentrali në fjalë, sipas marrëveshjes, do të mbahet për 35 vite me konçesion nga dy firmat austriake dhe më pas do të kalojë në pronësi të vendit tonë.
Ky hidrocentral do të ketë kapacitet prodhues 240 milionë kilovat/orë energji elektrike dhe do të jetë në gjendje të furnizojë plotësisht 100 mijë familje me energji.
Top Channel