Vangjel Dule, kreu PBDNJ-së, në një intervistë për Top Channel, thotë se
votimi anëtarit të KLD-së në Parlament javën e shkuar, është një
precedent i rrezikshëm, duke hedhur hije dyshimi për një përsëritje të
mundshme edhe kur të votohet Presidenti ardhshëm.

“Kemi një precedent shumë të rrezikshëm dhe dua të shpreh keqardhjen e thellë, se as politika, as mediat dhe as opinioni publik nuk i kushtuan vëmendjen e duhur. Devijimi i hapur kushtetues në zgjedhjen e anëtarit të KLD-së duhet të kishte vënë alarmin,në çdo vend, në çdo shtet të së drejtës, në çdo shoqëri të organizuar, në çdo demokraci funksionale. Po habitem si po kalon pa u vënë re  fenomene të tilla tepër të rrezikshme,  që vënë pikëpyetje në vetë funksionimin e demokracisë. Juve mund të keni siguri që i njëjti fenomen nuk mund të përsëritet  edhe me zgjedhjen e Presidentit të Republikës?”, tha Dule.

Sipas zotit Dule nuk duhet shpresuar shumë nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, pasi PD dhe PS e kanë në filozofinë e tyre për të minimizuar rolin e partive të vogla, e si pasojë në zgjedhjet e 2013 të shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit pa asnjë garanci.

“Nëqoftëse sistemi zgjedhor nuk do të ishte penalizues, PBDNJ-ja do të dëshironte kandidimin më vete, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. PD dhe PS, besnike të filozofisë së tyre se janë gjithmonë dakord, të paktën në momentin, që të paktën kanë mundësinë ligjore të kufizojnë hapësirat e përfaqësimit për forcat e vogla politike të nivelit të dytë, zgjedhin një mënyrë funksionimi të Komisioneve të Reformës Zgjedhore, që i mban peng në çështje të tjera, të cilat janë jetike. Fatkeqësisht do të shkojmë sërish, në një proces, për të cilin nuk do të ketë asnjë garanci se do të jetë i lirë, i barabartë dhe i pakontestueshëm”, tha Dule.

Pavarsisht se thekson pozicionin e PBDNJ-së, si një parti në opozitë me qeverisjen aktuale, Vangjel Dule nuk i fsheh problemet në koalicionin me PS-në.

“Sigurisht ka patur shumë elemente të aktivitetit tonë politik e parlamentar, të cilat na kanë vënë në bashkëpunim veprimesh, sikurse ka patur edhe aspekte të tjera ku ka munguar ky bashkëpunim. Gjithsekush është duke parë opsionet dhe alternativat. Ne shikojmë pikësëpari alternativën tonë politike, e cila do të përbëjë bazën e një sinteze të mundshme të saj, në një uadër më të gjerë të një koalicioni paraelektoral.PBDNJ-ja do të jetë në koalicion me atë ose ato forca politike, që do t’i japin më shumë garanci për realizimin e endrrës së qytetarëve të këtij vendi në realizimin e integrimit në BE”, tha Dule.

Top Channel