Një Indian, i cili humbi kontaktet me nënën e tij në vitin 1986, arriti ta rigjejë atë 25 vjet më vonë nga shtëpia e tij qindra kilometra larg, duke përdorur imazhet e “Google Earth”.
I quajtur Saro, indiani ishte vetëm pesë vjeç, kur gjatë me udhëtimi me tren me nënën dhe të vëllain, e zuri gjumi në vagon dhe kur u zgjua, nuk pa asnjërin prej tyre afër. Ngatërresa bëri që ai të ngjitej më pas në një tren të dytë, duke përfunduar në Kalkuta, qyteti i tretë më i madh i Indisë dhe i njohur për kasollet dhe varfërinë e tejskajshme.
I braktisur, pa mundësi për të mbajtur veten, Saro ndoqi shembullin e shumë fëmijëve të tjerë duke u bërë lypës, e duke përfunduar në një jetimore, ku jetoi për disa muaj kur pa asnjë mjet për të identifikuar familjen dhe pa asnjë denoncim në polici, jetimorja vendosi të pranonte një kërkesë birësimi nga një çift australian për djalin.
30 vjet më vonë, Saro tregon për “BBC” se prej vitesh ishte pushtuar nga dëshira për të rigjetur familjen e tij, por pa e ditur emrin e qytetit në të cilin kishte jetuar, u detyrua që të shfrytëzonte pamjet satelitore që ofron programi, për t’i krahasuar me kujtimet që kishte në kokë.
“U shndërrova në një lloj Supermeni, duke lëvizur nga një qytet në tjetrin brenda pak sekondave. Kisha disa imazhe fotografike në kokën time dhe kërkoja vende që të ishin identike. Kur nuk i gjeja, vazhdoja të kërkoja”, tregon indiani, i cili duke llogaritur 14 orët e udhëtimit të tij, i krahasoi me shpejtësinë e trenave në Indi, duke kuptuar se ishte nisur nga një qytet 1000-1200 kilometra nga Kalkuta.
Kërkimet e tij u konkretizuan kur më në fund, në qytetin e quajtur Khandva, ai gjeti lumin dhe digën që i mbante mend shumë mirë nga fëmijëria e tij. Madje, nga rrugët arriti të identifikonte edhe shtëpinë e vjetër, në portën e së cilës, iu shfaq vetëm një burrë i vjetër, i cili i tha se askush tjetër nuk banonte në të prej vitesh.
Duke kërkuar midis fqinjve, komshiu i katërt arriti të identifikonte se kush ishte ai nga një foto që kishte me vete në trup dhe e çoi tek nëna e tij, në një takim tejet emocional.
“Pas 25 vitesh, ajo mbeti e shtangur. Me siguri, i jam dukur si një fantazmë nga e shkuara. Të dy qëndruam si të mpirë, duke parë njëri-tjetrin, deri kur kuptuam se nuk ishte shaka, por ajo nëna ime dhe unë biri i saj. Kjo u pësua nga një përqafim që zgjati me minuta të tëra”, dëshmoi Saro.
Por, historia ka edhe një anë tjetër kurioze. Në mënyrë të pabesueshme, kishte qenë një fallxhore ajo që i kishte dhënë kurajo nënës zemërthyer, duke i thënë se një ditë do të gjente djalin e saj të humbur.
Top Channel