Tragjedi në Itali, futbollisti vdes në fushë

14/04/2012 16:20

Rikthehen momentet tragjike në fushat e gjelbërta. Këtë herë tragjedia mbërrin nga Seria B, seria inferiore e kampionatit italian, ku ka humbur jetën pas një arresti kardiak, mesfushori 25-vjeçar, Piermario Morosini.

Morosini u përplas pa ndjenja në tokë në minutën e 31 të takimit të zhvilluar në stadiumin  “Adriatico” të Peskarës, ku vendasit luanin përballë miqëve të Livornos, ndeshje e vlefshme për javën e 35 të Serisë B.

Stafi mjekësor i Livornos ka ndërhyrë menjëherë dhe kur ka parë gjendjen e tij, ka kërkuar transportimin urgjent për në spital. Pas këtij momenti, futbollisti 25-vjeçar, kartonin e të cilit e zotëronte Udineze, por të cilin e kishte dhënë në formë huazimi tek Livorno, është transportuar në spitalin më të afërt, ku ndërroi jetë megjithë përpjekjet e mjekëve.

Ndërkohë, në Itali kanë plasur polemikat mbi efikasitetin e ndihmës së shpejtë. Mediat, publiku dhe përfaqësues të skuadrës së Livornos, të hidhëruar nga humbja fatale e jetës e 25-vjeçarit, kritikojnë ndihmën e shpejtë, pasi sipas tyre ambulanca u vonua në rrugën e saj për të hyrë në stadium.

Pas ngjarjes tragjike, të dyja skuadrat vendosën të ndërpresin zhvillimin e takimit, për ta luajtur atë në një datë që mbetet ende për t’u përcaktuar. Skuadra e Livornos po fitonte 0-2.

Ndërkohë, në një vendim të marrë pak pas vdekjes së Piermario Morosino-s, federata italiane e futbollit ka pezulluar të gjitha takimet në të gjitha kategoritë të planifikuara për t’u luajtur sot dhe nesër.

Top Channel