Sfida, Skënderbeu-Tirana ndezin motorët

14/04/2012 00:00

Vetëm pak orë na ndajnë nga supersfida e javës së 21 të Kategorisë
Superiore, Skënderbeu-Tirana, e cila konsiderohet edhe si një finale e
parakohshme, pasi pritet të rezultojë vendimtare në luftën për titull.

Numërimi mbrapsht ka filluar, skuadrat përgatiten të ndezin motorët, ndërsa ambiciet janë maksimale. Do të jetë një sfidë vendimtare, për të parë se cila nga të dyja skuadrat do t’i afrohet më shumë trofeut më të lakmuar. Këtë e ka të qartë edhe presidenti i korçarëve, Agim Zeqo, që nënvijëzon se kjo sfidë do të jetë përcaktuese, por pa anashkaluar edhe ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit.

“Kemi një nga ndeshjet më të rëndësishme, u shpreh dje Zeqo, i cili u ka ofruar 100 mijë euro të tijve për fitoren ndaj Tiranës. Kampionati është në një faze delikate, ku mendohet se do të ndahet shapi nga sheqeri. Kampionati ka ende edhe 6 javë. Një barazim i mundshëm do të favorizonte Teutën. Jemi shumë të fortë në fushën tonë, kemi bërë vetëm një gabim, pikërisht në sfidën ndaj skuadrës durrsake. Në fushën tonë premtojmë se do të marrim maksimumin kundër Tiranës”.

Sikurse është bërë e ditur deri tani, janë shitur të gjitha biletat e mundshme dhe stadiumi “Skënderbeu” do të jetë i mbushur. “Më vjen mirë që stadiumi do të mbushet plot, rrëfen Zeqo. Është një ndeshje vendimtare. Jam i bindur se tifozët do të krijojnë një atmosferë spektakolare dhe të mos e prishim ndeshjen. Janë marrë të gjitha masat e duhura për këtë sfidë”. Interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm edhe nga personalitete të shumta politike. Tashmë është e sigurt që në tribunën VIP do të jetë kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe president i klubit Tirana, por edhe trajneri i Kombëtares, Xhani de Biazi. Megjithatë, ajo që vlen ka të bëjë me aktorët në fushë. Trajneri i Skënderbeut, Stanislav Levi, e vlerëson forcën e kundërshtarëve, ndërsa thekson se ekipi i tij do të bëjë të pamundurën për të fituar, edhe i ndihmuar nga atmosfera që pritet të jetë spektakolare. “Të gjithë e dimë se na pret një ndeshje e rëndësishme, ndaj një kundërshtari ambicioz, që vjen në një formë të mirë. Por ne do të bëjmë maksimumin për ta fituar këtë ndeshje, pasi duam që të shpallemi kampionë edhe këtë vit”. Në anën tjetër, drejtuesi i stolit të Tiranës, Hulian Rubio, shfaq respekt për kundërshtarët, megjithatë edhe pse nënvijëzon se e ka përgatitur ndeshjen, nuk preferon të japë detaje për sa i takon vendosjes taktike në fushë. “Ne do të përballemi me atë Skënderbe që do të jetë në fushë dhe nuk i druhemi. Nuk jam parashikues të them se sa shanse kemi, por mund të siguroj që ne do të futemi në fushën e lojës për të fituar dhe për të luajtur ndershmërisht”, thekson tekniku spanjoll. Sfida konsiderohet si ora e së vërtetës për Tiranën, e cila vjen e plotë në këtë takim, përveç Tushes, i cili është i pezulluar dhe është dënuar me 6 javë, por disa lojtarë të rikthyer nuk janë në 100% të formës. Megjithatë Rubio thotë: “Nuk është koha për justifikime. Skënderbeu është lideri aktual, ka një ekip të mirë. Nuk është finale e kampionatit, por është ndeshja që po prisnim, si ne edhe ata. Nëse fitojmë, do të jemi në rrugë të mbarë drejt titullit, nëse barazojmë, prapë mirë, sepse me këto rezultate jemi ende në lojë, pasi diferenca ka qenë shumë e vogël dhe të gjithë mund të gabojnë. Sfida Skënderbeu-Tirana do të luhet të shtunën në orën 19.00 dhe do të transmetohet direkt në “SuperSport”.

Top Channel